
Struganët çdo ditë e më shumë po përballen me kaosin në trafik. Shkaku kryesor? Infrastruktura e vjetruar dhe mungesa e investimeve të reja rrugore. Prej vitesh, qytetit i janë premtuar projekte që do të zgjidhnin problemet e qarkullimit, por shumë prej tyre kanë mbetur vetëm në letër.
Një nga shembujt më të qartë është rruga e njohur si “Kolektori Lindor”, që lidh rrethrrotullimin te “Foni” me ish-hotel “Apolonia”. Kjo rrugë përbën fazën e parë të një projekti më të madh, të premtuar prej kohësh nga autoritetet lokale, i cili synonte të lehtësonte trafikun dhe t’u siguronte kushte normale jetese banorëve të zonës përreth.

Megjithatë, realiteti është ndryshe. Vetëm 500 metra asfalt, një segment i shkurtër që mund të kishte bërë ndryshim të madh për qarkullimin në qytet, nuk u ndërtuan kurrë.
Ndërkohë, trafiku në Strugë vazhdon të rëndohet çdo ditë, dhe banorët presin ende që premtimet për rrugë moderne të mos mbeten vetëm fjalë elektorale.


