*Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Kavadarci ka kryer këqyrje në vendin e ngjarjes në një shtëpi ku është gjetur trupi i pajetë i një burri 42-vjeçar, njoftojnë nga prokuroria.
“Trupi është gjetur i mbuluar me dhe dhe sende të tjera në hapësira ndihmëse, gjë që fillimisht tregon se vdekja është rezultat i një vepre penale. Familja kishte disa ditë që përpiqej ta gjente personin, i cili jetonte i vetëm,” thuhet në njoftim.
Për zbardhjen e plotë të rastit, prokurori ka urdhëruar obduksion të të ndjerit.
“Nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë dhe prova materiale të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë dhënë urdhra dhe udhëzime për identifikimin e autorit të veprës,” thuhet më tej në njoftim.