Pasditen e së hënës, një grua 32-vjeçare nga Maqedonia është goditur me një mjet të mprehtë në zonën e qafës, në parkingun e qendrës tregare Merkur në rrugën “Tullner Frauentorgasse”, shkruajnë mediat austriake, përcjell Shtegu.com.
“Për shkak të lëndimeve të rënda, ajo ka ndërruar jetë në vendngjarje”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë austriake, Heinz Holub. Viktima supozohet të jetë një shtetas 32-vjeçare nga Maqedonia Veriore.
Si i dyshuar kryesor akuzohet bashkëshorti 36-vjeçar i gruas, gjithashtu shtetas i Maqedonisë Veriore, përcjell Shtegu.com. Pas kryerjes së veprës makabër, personi është arrestuar pa bërë ndonjë rezistencë. Me këtë rast, kanë qenë të pranishëm edhe dëshmitarë.
Hetimet i ka filluar Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale të Austrisë së Ulët. Sipas Holub, ende nuk është e qartë nëse arma e vrasjes kishte qenë një thikë apo ndonjë objekt tjetër i mprehtë.
Sulmi ndaj 32-vjeçares ishte akti i katërt vdekjeprurës i dhunës ndaj një gruaje në Austrinë e Ulët gjatë këtij viti.