Grupi i transportuesve të linjave të udhëtarëve në Komunën e Strugës ka njoftuar se nga data 24 gusht 2026 do të ndërpresë shërbimin e transportit në disa linja, për shkak të, siç thuhet, mungesës së përgjigjes nga Komuna e Strugës.
Sipas njoftimit të transportuesve, më 24 korrik 2026 është dorëzuar kërkesë në Komunën e Strugës, por deri më tani nuk është marrë përgjigje.
Transportuesit kërkojnë zgjidhje për borxhin e papaguar shumëvjeçar, si dhe për çmimet e biletave, të cilat, sipas tyre, nuk janë ndryshuar që nga viti 2022, ndërkohë që shpenzimet për mirëmbajtjen dhe operimin e transportit janë rritur ndjeshëm.
Për shkak të këtyre problemeve, transportuesit kanë paralajmëruar se nga 24.08.2026 do të ndërpresin transportin në këto linja:
– Strugë – Lozhan
– Strugë – Misleshevë
– Strugë – Moriçshtë
– Strugë – Drasllajcë
– Strugë – Livadhi
– Strugë – Koroshishtë
– Strugë – Delogozhdë
– Strugë – Mislodezhdë
– Strugë – Nerezi
– Strugë – Vranihtë
– Strugë – Radozhdë
Ndërprerja e këtyre linjave do të prekë një numër të madh të banorëve të fshatrave të Strugës, të cilët e përdorin transportin e linjës për të udhëtuar drejt qytetit dhe për nevoja të përditshme.
Transportuesit kërkojnë që institucionet kompetente të reagojnë dhe të gjendet një zgjidhje për problemet e akumuluara, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit publik.
Tashmë mbetet të shihet nëse Komuna e Strugës do të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e situatës para datës së paralajmëruar për ndërprerjen e shërbimeve.
(Struga Ekspres)















