Saturday, March 28, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeQytetiMendi Qyra: 45 vjet nga demonstratat studentore

Mendi Qyra: 45 vjet nga demonstratat studentore

45 vjet nga demonstratat studentore 🇽🇰

Dëshmi personale nga demonstratat studentore të vitit 1981

Dyzet e pesë vjet më parë lindi një kapitull i ndritur i historisë sonë kombëtare. Kujtesa më kthen te marsi i vitit 1981, kur shpërtheu revolucioni studentor.

Më 11 mars, ndodhesha në mensën e studentëve kur një grup studentësh përmbysën tavolinat, duke ndezur protestën. Me parullën “Duam kushte më të mira për studentët”, marshuam nëpër Prishtinë dhe qëndruam deri në orët e para të mëngjesit, duke artikuluar kërkesat tona.

Më 12 mars gjithçka u duk e qetë, por revolucioni sapo kishte filluar.

Më 26 mars, mijëra studentë u mblodhën në Qendrën Studentore, duke protestuar kundër kushteve të rënda dhe duke artikuluar kërkesën “Kosova Republikë”. Demonstratat vazhduan deri pasdite, kur policia ndërhyri brutalisht me gaz lotsjellës dhe dhunë.

Në përpjekje për t’u shpëtuar, u strehuam në një barakë, por policia hodhi gaz edhe brenda. Duke kërkuar dalje, u hodha nga dritarja dhe u rraha brutalisht deri sa humba vetëdijen. Ndonëse me lëndime të rënda, nga aty u dërgova në burg bashkë me miq tjerë të plagosur nga ku me ngulm të Nexhmi Menës më vonë na dërguan në Spitalin e Prishtinës.

Pas demonstratave të 1, 2 dhe 3 prillit situata u përkeqësua, spitali u mbush edhe më shumë me të plagosur, madje edhe fëmijë.

Pas daljes nga spitali, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, u ktheva me vështirësi në Strugë. Më 17 dhjetor 1982 u arrestova dhe u dënova me burg në Ohër, ku shumë veprimtarë u mbajtën në kushte çnjerëzore.

Edhe pas lirimit, persekutimi vazhdoi: u përjashtova nga fakulteti, m’u mohua e drejta e punës dhe u largova nga arsimi për arsye politike.

Megjithatë, këto përvoja na forcuan. Nga ajo kohë mbaj bindjen se: “Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë dhe njerëzit e fortë sjellin kohë më të mira.”

Sot, jam krenar për atë që kam bërë. Po të kthehesha pas, do ta bëja sërish.

Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë.
Mendi Qyra-Kryetar i Komunës së Strugës

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!