Qeveria e Maqedonisë së Veriut nesër në mesditë pritet të ketë miratuar masa të jashtëzakonshme për luftimin e çmimeve të larta të karburanteve, mëson Pres24 nga burime qeveritare.
Sipas informacioneve, Qeveria po e ndjek nga afër situatën me çmimet në bursat botërore, të cilat vazhdojnë të rriten. Duke qenë të vetëdijshëm se kjo do të reflektohet në vendimin e ri të Komisionit Rregullator për Energji, ata paralajmërojnë ndërhyrje për të zbutur goditjen e çmimeve.
Deri në këtë moment nuk ka informacione se çfarë masash konkrete planifikon të ndërmarrë Qeveria, por burime qeveritare kanë paralajmëruar se po shqyrtohet modeli i uljes së TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%.
Aktualisht, çmimi i karburanteve është 92 denarë për dizelin dhe 86.5 denarë për litër benzinë.
Pas një marrëveshjeje të Qeverisë me një nga furnizuesit më të mëdhenj, OKTA, çmimet janë ulur për 2 denarë për litër, kështu që në shumicën e pikave të karburantit çmimi është 90 denarë për dizelin dhe 84.5 denarë për benzinën.













