Gazetar: Miki Trajkovski
Rruga “Haxhi Mustafa” në lagjen Voska të Ohrit, pothuajse katër muaj është e hapur me gërmime. Banorët ankohen se në vend të rindërtimit, që duhej të kishte përfunduar deri më tani, rruga ka mbetur në këtë gjendje që para zgjedhjeve lokale.
“I kemi prishur veturat dhe kujt i intereson? Askujt. Kur e hapën rrugën? Para zgjedhjeve. Mbaruan zgjedhjet dhe mbaroi edhe puna”, u shpreh një banor.
“Më shumë se 4-5 muaj është kështu. Për zgjedhjet e hapën dhe menduan se për shkak të zgjedhjeve mbeti kështu, tani kush e di kur do të bëhet. Kishte edhe përmbytje, mbushej me ujë, nuk kalohej. Çfarë do t’u porosisnit autoriteteve lokale? Sa më shpejt të përfundojë”, tha një banor tjetër.
Nga Komuna e Ohrit thonë se ndërprerja dhe intensiteti i ulët i aktiviteteve gjatë periudhës së kaluar ka qenë për shkak të reshjeve të shpeshta.
“Në këtë moment, realizuesi i punimeve po përfundon montimin e pllakave bekaton dhe vendosjen e bordurave, si dhe lidhjen e pusetave me kanalin ekzistues prej betoni. Paralelisht po punohet për përmirësimin e shtresës, përkatësisht po bëhet zëvendësimi dhe ngjeshja e materialit tampon me qëllim sigurimin e një baze të qëndrueshme dhe cilësore. Është kryer edhe nivelizimi i pusetave, ndërsa janë zëvendësuar edhe katër pllaka të dëmtuara prej betoni të armuar të kanalit”, njoftojnë nga Komuna e Ohrit.
Pritet që brenda 10 ditëve të ardhshme të përfundojnë punimet për asfaltimin, ndërsa gjatë muajit mars të vendoset edhe pajisja dhe sinjalizimi rrugor, çka do të mundësojë përfundimin e plotë të punimeve dhe vënien në funksion të plotë të rrugës. Në këtë pjesë të Ohrit jetojnë rreth 5000 banorë. /Alsat.mk













