Projekti për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, i cili nisi zyrtarisht në vitin 2014 me një buxhet fillestar prej 374 milionë eurosh për një gjatësi prej vetëm 57 kilometrash, po shndërrohet në barrën më të rëndë financiare në historinë e shtetit, pasi pas 12 viteve zvarritjeje kostoja totale pritet të kalojë vlerën e 800 milionë eurove. përcjell INA.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut tashmë ka arritur aneksi i tetë i kontratës, i cili parashikon një shtesë prej rreth 200 milionë eurosh dhe një afat të ri për përfundimin e punimeve deri më 31 maj 2027. Ky shtrenjtim drastik e çon koston për kilometër në rreth 14.3 milionë euro.
Sipas propozim-ligjit të dorëzuar nga Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski me procedurë të shkurtuar, shuma shtesë prej rreth 186.2 milionë eurosh, plus një shumë e përkohshme prej 18.6 milionë eurosh, vjen si pasojë e punimeve të paparashikuara dhe nevojës për sanimin e rrëshqitjeve të reja të dherave, veçanërisht në pjesën e Botunit. Për të garantuar këtë herë respektimin e afateve, kompania kineze “Sinohydro” do të jetë e detyruar të dorëzojë garanci bankare, programe pune dhe raporte të rregullta llogaridhënieje para shtetit. Pagesat e këtij aneksi do të realizohen në raportin 85% në dollarë amerikanë dhe 15% në denarë, sipas kursit të këmbimit të Bankës Popullore.
Ndonëse deri më tani janë nënshkruar shtatë anekse të mëparshme për shtyrje afatesh, mbetet të shihet nëse ky i teti do të jetë përfundimtari për autostradën që tashmë mban rekordin e zvarritjes në historinë e infrastrukturës rrugore të vendit.
Përgjegjësia kryesore për realizimin e kësaj vepre bie mbi kompaninë shtetërore kineze “Sinohydro Corporation Limited”, e cila hyri në tregun vendas në vitin 2013 përmes një ligji të veçantë pa tenderim të hapur, duke u angazhuar për ndërtimin e autostradës me financim nga banka kineze “Exim”.
Megjithëse “Sinohydro” njihet globalisht për projekte madhore inxhinierike, në këtë aks ajo është përballur me kritika të ashpra për shkak të gabimeve teknike në trasenë fillestare, të cilat detyruan shtetin të nënshkruajë tetë anekse të njëpasnjëshme për sanimin e rrëshqitjeve të paparashikuara të dherave. (INA)













