“100 Ditë Zhgënjim: Struga Pa Ujë, Pa Projekte të Reja dhe Me Shkelje e Paqartësi”
Në emër të Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Strugë, ndjejmë obligim para qytetarëve të reagojmë ndaj raportit 100-ditor të Kryetarit të Komunës.
Këto 100 ditë nuk prodhuan vizion të ri, nuk sollën projekte të reja dhe nuk dhanë zgjidhje për problemet reale të qytetarëve. Përkundrazi, u karakterizuan nga mungesë drejtimi strategjik, tensione institucionale dhe vendimmarrje të paqëndrueshme.
Qytetarët e kujtojnë qartë situatën gjatë festave të 28 Nëntorit, kur pas vërejtjeve të Hristijan Mickoski, Kryetari i Komunës u tërhoq, duke lënë shije të hidhur dhe duke vendosur interesa politike mbi dinjitetin e struganëve. I njëjti model veprimi u pa edhe gjatë zgjedhjes së Kryetarit të Këshillit Komunal, ku opinioni publik ishte dëshmitar i presioneve dhe skenave të papranueshme për të siguruar kontroll institucional.
Sa i përket “të arriturave” të prezantuara në raport, është e qartë se shumica e projekteve për të cilat sot krenohet kryetari janë projekte të siguruara dhe të iniciuara nga administrata e kaluar. Është e papranueshme që puna e dikujt tjetër të paraqitet si sukses i ri, ndërkohë që e njëjta periudhë anatemohet në diskursin publik.
Ndërkohë, realiteti i qytetarëve është krejt tjetër. Për rreth 20 ditë, Struga mbeti pa ujë të pijshëm – një situatë alarmante dhe e paprecedentë në historinë e qytetit. Në vend të zgjidhjes së problemit, pamë arsyetime dhe tentativë për zhvendosje të përgjegjësisë. Edhe sot, situata me furnizimin me ujë mbetet shqetësuese dhe pa një plan të qartë afatgjatë.
Në këto 100 ditë, Kryetari i Komunës nisi edhe largime selektive nga administrata komunale, duke i proklamuar ato si “pastrim” dhe sukses të madh institucional. Sot, të gjithë ata punonjës janë rikthyer në vendet e tyre të punës si pasojë e vendimeve të Komisionit të Shkallës së Dytë pranë Agjencisë për Administratë. Kjo dëshmon se vendimet kanë qenë të pabazuara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.
Po ashtu, Kryetari i Komunës i mbetet borxh publikut që të publikojë emrat e personave për të cilët ai vetë deklaroi në fillim të mandatit se kanë marrë paga ndërkohë që kanë qenë jashtë shtetit. Transparenca nuk mund të përdoret si slogan vetëm kur i konvenon pushtetit.
Për më tepër, për informimin e drejtë të qytetarëve, sot ndërmarrjet komunale dhe vetë Komuna e Strugës po “lulëzojnë” nga kontratat në vepër. Bie në sy fakti se ish të punësuar në ndërmarrjet private të Kryetarit janë angazhuar tashmë në institucionet komunale. Po ashtu, vërehen elemente të qarta nepotike në këto punësime, të cilat ngrenë pikëpyetje serioze mbi kriteret dhe transparencën e ndjekur. Lidhur me këtë, në ditët në vijim do të publikojmë të gjitha të dhënat dhe faktet konkrete për secilin rast.
Nga ana tjetër, gjatë këtyre 100 ditëve janë bërë edhe emërime dhe shkarkime të paligjshme të drejtorëve të shkollave, gjë që është konstatuar nga Inspektorati i Arsimit. Këto veprime jo vetëm që krijojnë pasiguri në institucionet arsimore, por dëmtojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të shkollave. Edhe për këtë çështje, do të publikojmë detajet për secilën shkollë veçmas, me dokumentacion përkatës.
Mungesa e vizionit u reflektua edhe në buxhetin e vitit 2026 – një buxhet jo zhvillimor, buxhet i status quo-së, që nuk parasheh mjete konkrete për zgjidhjen e problemeve madhore të qytetit dhe nuk ofron perspektivë të re zhvillimi për Strugën.
Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Strugë paralajmëron se në ditët në vijim do të publikojë të gjitha marrëveshjet dhe dokumentacionin lidhur me investimet e realizuara dhe ato në proces, në mënyrë që qytetarët ta kenë të qartë se kush i ka siguruar mjetet financiare dhe kush i ka iniciuar këto projekte.
Struga meriton transparencë të plotë, qeverisje me përgjegjësi dhe lidership me vizion.













