Sot, me marrjen e lajmit për vendosjen e pllakës evokuese në shtëpinë e veprimtarit Murat Lumani, në fshatin Fierishtë të Strugës, ndjeva një emocion dhe krenari të veçantë. Edhe pse nuk isha fizikisht i pranishëm, e përjetova këtë moment si një ngjarje me rëndësi të madhe historike dhe kombëtare.
Me përulësi dhe mirënjohje të thellë, ndiej detyrim moral të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për zemërgjerësinë e jashtëzakonshme të zotit Murat Lumani dhe familjes së tij, të cilët në një nga periudhat më të ndjeshme të historisë sonë kombëtare, e vunë shtëpinë e tyre në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare.
Në fshatin Fierishtë të Strugës, shtëpia e veprimtarit Murat Lumani nuk ishte thjesht një shtëpi familjare, por u shndërrua në një vatër të organizimit të rezistencës shqiptare dhe një bazë të rëndësishme të ilegalës që nga viti 1991. Nga viti 1993 deri më 1999, ajo shërbeu drejtpërdrejt si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ofruar strehim të sigurt për strukturat udhëheqëse dhe pjesëtarët e saj në ditët më të vështira të luftës.
Vendosja e pllakës evokuese nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Azem Syla, e përjetësoi këtë kontribut të rrallë dhe e ngriti në nivelin e nderimit institucional që e meriton. Një moment i veçantë historik mbetet marsi i vitit 1999, kur pas Konferencës së Rambujesë, në këtë shtëpi qëndruam bashkë me përfaqësuesit e delegacionit shqiptar: Hashim Thaçi e Kadri Veseli, së bashku me të tjerë bashkëluftëtarë e komandantë të UÇK-së.
Nga aty vazhduam së bashku drejt frontit të lirisë, me z. Thaçi, z. Veseli dhe bashkëluftëtarë e komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo shtëpi për ne nuk ishte vetëm një strehë e sigurt, por një vatër besimi, guximi dhe përkushtimi të palëkundur ndaj atdheut. Mikpritja dhe bujaria e familjes Lumani në ato çaste vendimtare mbeten kujtim i paharruar dhe dëshmi e karakterit të lartë kombëtar.
Unë e vlerësoj thellësisht sakrificën dhe përkushtimin e zotit Lumani, i cili si ish-i burgosur politik dhe veprimtar i palodhur, nuk kurseu asgjë për idealin e lirisë. Të hapësh derën e shtëpisë në kohë rreziku do të thotë të hapësh zemrën për kombin, dhe kjo është një vepër që historia do ta ruajë me respekt.
Faleminderit, zoti Murat Lumani, për shembullin e lartë të atdhedashurisë, për besimin dhe për kontributin që mbetet frymëzim për brezat që vijnë.
Më respekt të veçantë,
Xhavit Sadrijaj















