Artan Grubi dërgohet në burgun e Shutkës: Vendoset në qeli me një person tjetër
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, pasi u arrestua mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar “Bllacë” gjatë tentativës për të hyrë në shtet, është dërguar nga pjesëtarët e MPB-së në burgun hetues “Shkupi”.
Sipas rregullave të atjeshme, Grubi është dërguar për bisedë dhe kontroll te mjeku i burgut, pas së cilës është vendosur në qeli.
”Personi për të cilin pyetni u soll në orën 09:20 nga pjesëtarët e MPB-së. Pas kontrollit te mjeku, ai është vendosur në repartin e paraburgimit, në një qeli me edhe një person tjetër,” deklaroi për “Fokus” drejtori i burgut hetues “Shkupi”, Boban Utkovski.
Ai shton se Grubi nuk është deklaruar drejtpërdrejt nëse ndihet i rrezikuar, por pavarësisht kësaj, thotë se do të këtë kujdes për sigurinë e tij, ashtu siç praktikohet edhe për të paraburgosurit e tjerë.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, pas një viti e dy muajsh në arrati, vendosi që vullnetarisht të kthehet në shtet, me ç’rast u arrestua gjatë tentativës për hyrje në vendkalimin kufitar Bllacë. Deri më tani nuk dihen motivet e Grubit për kthimin e tij, pasi e ka pasur të qartë se sapo të shkelte në shtet, do t’i viheshin prangat.
Ish-zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, ndiqet për “përvetësim gjatë detyrës” në Lotarinë Shtetërore, ku bashkë me Përparim Bajramin dyshohen për krim prej 8 milionë eurosh përmes porosisë së aparateve VLT. Grubi, si drejtues i seancës qeveritare, e ka miratuar kërkesën për aparatet VLT edhe pse e ka ditur se furnizimi publik është i paligjshëm dhe se Lotaria nuk ka të drejtë të organizojë e vetme lojëra elektronike të fatit.













