Dyzet kamera, të cilat do të vendosen nëpër Ohër dhe Strugë, do të monitorojnë shoferët e pandërgjegjshëm në kuadër të sistemit “Qytet i Sigurt” (Safe City).
Pritet që ato të vihen në funksion deri në fillim të sezonit turistik. Për momentin janë instaluar katër kamera në autostradën Ohër–Kërçovë, ndërmjet fshatrave Gorencë dhe Trebenishtë, si dhe ndërmjet Botun dhe Novo Sellë, por ende nuk janë vënë në përdorim, edhe pse kontrolli dhe testimi tashmë janë kryer.
“Kjo do të thotë ngritje e nivelit të sigurisë në komunikacion, ulje e numrit të aksidenteve rrugore dhe ulje e numrit të viktimave në aksidentet e trafikut. Ky është qëllimi i këtij sistemi dhe zbatimi i tij. Presim që së shpejti, në prag të sezonit kryesor turistik, ai të vihet në funksion”, deklaroi Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme Ohër.
Qytetarët besojnë se kjo do të sjellë më shumë rend në komunikacion.
“Kjo është një punë e mirë dhe pozitive, e cila duhej të ishte bërë shumë më herët. Nëse jo 100 për qind, atëherë 95 për qind do ta përmirësojë kulturën dhe problemet që tani shfaqen”, deklaroi një qytetar.
“Një gjë tjetër që do ta shtoja për ‘Qytetin e Sigurt’ është nëse trotuaret ndonjëherë do të pastrohen nga automjetet. Kjo duhet të përmirësohet, por megjithatë parandalimi dhe gjobat do ta bëjnë punën e tyre”, theksoi një qytetar tjetër.
“Duhet të ketë dënime. Nëse do të jenë rigoroze, këtë do ta përcaktojnë ata që janë më kompetentë. Kur e vë veten në një situatë të rrezikshme, vë në rrezik veten dhe këdo që është me mua, por edhe shoferin tjetër nga aspekti i sigurisë. Prandaj është mirë të ketë gjoba”, tha një qytetar.
Në vitin 2025, në drejtimin rrugor Qafë Thanë–Strugë, Podmolje–Kërçovë–Strazhë, kanë ndodhur 30 aksidente trafiku, prej të cilave katër me pasoja fatale. Kanë humbur jetën shtatë persona, ndërsa 38 kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Shkaku më i shpeshtë është shpejtësia mbi të lejuarën.













