Fetai: “Safe city” është politizuar pa nevojë, garantojmë respektimin e shqipes në gjoba
Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai në emisionin “Rishtazi” për “Koha cast” ka thënë se Ligji për kundërvajtje apo i njohur si “Safe city” është politizuar pa nevojë, janë ngritur shumë dilema, propagandë e që tenton të etnizojë ligjin në fjalë.
“Ai është një sistem që tenton të vendos rend në qarkullimin publik në mënyrë që të ulet shkalla e vdekshmërisë në aksidente trafiku, sepse sistemi është menduar dhe dizajnuar në bazë të statistikave që i kemi si shtet në lidhjet me aksidentet në trafik në nivel vendi”, tha Fetai.
Qasja është parandaluese, jo ndëshkuese
Qasja, sipas tij, është qasje parandaluese, nuk është ndëshkuese dhe se qëllimi i Qeverisë, siç shton, “nuk është të ndëshkojë qytetarët dhe të mbledhim para dhe të mbushim buxhetin siç u paraqit nga një pjesë e opozitës”.
“Ligji ende nuk zbatohet, jemi në fazë testuese, sistemi fillon të operacionalizohet plotësisht përfshirë edhe pjesën e dënimeve nga data 1 shkurt dhe pjesa e sms-ve është në fazën testuese dhe kemi qartësuar se do të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve dhe të njëjtat do të arrijnë në dy gjuhë dhe e garantojmë këtë pjesë”, ka thënë zëvendëskryeministri Fetai.













