KUNDËR-REAGIM
Bashkimi Demokratik për Integrim-Dega Strugë
Bashkimi Demokratik për Integrim Dega Strugë e konsideron reagimin e Kryetarit të Komunës së Strugës si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi i problemit: shkelja e procedurave ligjore në shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave.
Askush nuk e konteston të drejtën e analizimit të gjendjes së trashëguar financiare, por asnjë borxh dhe asnjë justifikim politik nuk i jep të drejtë Kryetarit të Komunës të shkelë Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, të anashkalojë procedurat ligjore dhe të emërojë drejtues pa përmbushur kriteret profesionale.
BDI nuk mbron individë, por mbron ligjshmërinë, institucionet dhe depolitizimin e arsimit. Nëse ka dyshime për keqmenaxhim nga drejtorë konkretë, rruga e vetme është Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe procedura ligjore, jo vendime arbitrare dhe selektive.
Pretendimet për “diploma falso”, “keqmenaxhim masiv” dhe “klientelizëm” janë deklarata të rënda politike që kërkojnë prova konkrete dhe veprime ligjore, jo përdorim propagandistik për të justifikuar spastrime politike në arsim. Në mungesë të këtyre provave, këto deklarata mbeten shpifje publike ndaj mësimdhënësve dhe kuadrove arsimore të Strugës.
Është paradoksale që flitet për depolitizim, ndërkohë që vendimet e para të administratës së re kanë qenë pikërisht politike, duke shkarkuar drejtorë që i plotësojnë kushtet ligjore dhe duke emëruar persona pa konkurrencë transparente dhe pa procedurë të rregullt.
BDI – Dega Strugë rithekson:
-arsimi nuk mund të reformohet duke shkelur ligjin,
-borxhet nuk arsyetojnë tejkalimin e kompetencave,
-dhe reformat nuk bëhen me deklarata, por me procedura të rregullta dhe institucionale.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë ndërhyrje të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në mënyrë që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, ashtu siç është vepruar edhe në raste të mëparshme në Komunën e Strugës.
Struga nuk ka nevojë për narrativë hakmarrëse politike, por për stabilitet institucional, profesionalizëm dhe respekt të ligjit.
Bashkimi Demokratik për Integrim
Dega Strugë













