Deklarata e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, si përfaqësues i VLEN-it në MPB, se nuk ekzistojnë kuadro të përshtatshme për pozita udhëheqëse, përbën një justifikim të ulët për dështimin institucional dhe kapjen partiake të organeve shtetërore. Kështu ka reaguar kryetari i Degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, duke theksuar se realiteti në terren e demanton plotësisht këtë pretendim.
“Sot, në Policinë e Ohrit dhe të Strugës nuk ka asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse. Kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së kuadrove profesionale, por si rezultat i një politike të qëllimshme përjashtuese”, thekson Pollozhani.
Sipas tij, janë të paktën pesë kuadro shqiptare me përgatitje profesionale dhe përvojë të dëshmuar, të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për pozitën e Kryeshefit të Qendrës Rajonale – Perëndim për punë kufitare.
“Mohimi i këtij fakti tregon qartë se zëvendësministri nuk vepron si garant i barazisë dhe përfaqësimit të drejtë, por si filtër partiak që selekton kuadrot sipas bindjeve politike”, vlerëson Pollozhani.
Ai shton se kjo qasje përbën tradhti ndaj interesit publik dhe dëshmi të impotencës politike të atyre që, ndonëse flasin në emër të shqiptarëve, në praktikë i përjashtojnë ata nga institucionet kyçe të shtetit.
“BDI do të vazhdojë të reagojë dhe të mbrojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe profesionalizmit në institucionet e sigurisë, sepse barazia nuk është favor, por obligim kushtetues”, përfundon Pollozhani.













