Zëdhënësja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli Zendeli, ka deklaruar se një takim politik i nivelit të lartë pritet të ndodhë në periudhën në vijim, por pa dhënë afate konkrete kohore. Në emisionin ZOOM në RTVM2, Bilalli Zendeli tha se në këto takime do të diskutohen çështje me rëndësi të veçantë për shtetin, ndërsa theksoi se prioritet kryesor për BDI-në mbetet mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve.
Sipas saj, një nga kërkesat kryesore është vendosja e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, duke kujtuar se vendimet e kësaj gjykate gjatë vitit të kaluar kanë prodhuar pasoja serioze politike dhe institucionale.
“E pamë vitin e kaluar se në çfarë pozite na solli Gjykata Kushtetuese dhe për fat të keq, ende nuk ka një epilog. Nuk ka vendim për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, deklaroi Bilalli Zendeli.
Ajo shtoi se përveç Ligjit për gjuhët, BDI avokon edhe për zgjedhjen e Qeverisë me Badenter, si mekanizëm që garanton barazinë etnike dhe stabilitetin institucional në vend.













