Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të rinumërohen të gjitha votat në 28 komuna të Kosovës.
Kjo pas dallavereve të evidentuara në disa komuna.
Gjithashtu, KQZ-ja ka vendosur të ndërprehet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Prizren.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë”, tha ai më tutje.
Radoniqi ka thënë se të gjitha të dhënat, do t’i adresojnë në Prokurorinë e Shtetit.
“Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, tha Kreshnik Radoniqi.
Rinumërimin e mbështetën përfaqësuesit e të gjitha partive politike.













