Një mërgimtar nga fshati Ladorishti ka ngritur shqetësimin për, siç thotë ai, faturat e fryra dhe të pajustifikueshme të energjisë elektrike nga EVN, duke akuzuar kompaninë për zhvatje të qytetarëve, në veçanti të mërgimtarëve, shkruan Struga Ekspres.
Sipas tij, gjatë një qëndrimi pushimor prej vetëm dy javësh në vendlindje, ai ka pranuar një faturë të energjisë elektrike në vlerë prej 64.636 denarësh, shumë kjo që e cilëson absurde dhe të papranueshme.
Mërgimtari shprehet se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur konsum të jashtëzakonshëm të rrymës që do ta arsyetonte një faturë kaq të lartë.
“Është e pakuptimtë që për dy javë qëndrim të vijë një faturë kaq e madhe. Kjo është zhvatje e hapur, sidomos ndaj nesh që vijmë vetëm për pushime,” deklaron ai, duke shtuar se raste të ngjashme po u ndodhin edhe shumë mërgimtarëve të tjerë,shprehet mërgimtari nga Ladorishti i Strugës.
Ai kërkon nga institucionet kompetente që të hetojnë rastin dhe të marrin masa ndaj praktikave që, sipas tij, dëmtojnë rëndë qytetarët dhe cenojnë besimin ndaj shërbimeve publike.

(Struga Ekspres)













