Sunday, January 18, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeQytetiNdërron jetë prof. Asan Asani nga fshati Shum i Strugës

Ndërron jetë prof. Asan Asani nga fshati Shum i Strugës

SHKOI NË AMSHIM PROFESOR ASAN ASANI

Shkruan
Prof. dr. Bexhet Asani

Më 17 janar 2026, papandehur në moshën 76 vjeçare, u nda nga jeta prof. Asan Asani nga fshati Shum i Strugës.

Asan Asani lindi në fshatin Zagraçan në vitin 1950. Rridhte nga një familje e nderuar në fshat dhe më gjerë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, në Zagraçan.Tetëvjeçaren e mbaroi në fshatin Ladorisht. Gjimnazin në qytetin piktoresk të Strugës.

Në Prishtinë mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike grupin “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi”. Pas kryerjes së SHLP arsimtari i ri kthehet në vendlindje. Punësohet në Radio Struga. E largojnë nga Radio Struga si të “papërshtatshëm” në mjetet e informimit!

Pranohet arsimtar në tetëvjeçaren “Ashim Agushi” në Ladorisht. Nuk i japin orët e Gjuhës Shqipe por i japin orët e vizatimit. Ai kishte talent për çdo gjë në art. Pa hezitim i pranoi orët e vizatimit. I ri, por i sigurtë, se edhe në orët e vizatimit ai do të jepte kontributin e tij prej mëmëdhetari, do të arsimonte dhe do të edukonte brezin e ri. Kështu, gjatë një ore të vizatimit, arsimtar Asani vizaton në dërrasë të zezë portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për këtë gjest patriotik, drejtori në bashkëpunim me Komitetin e atëhershëm famëkeq e largojnë nga puna si “nacionalist e irredentist që indoktrinon rininë”!

Arsimtar Asan Asanin ky largim nga puna nuk e shqetëson fare. Merr familjen dhe shkon në Prishtinë. Pranohet arsimtar në tetëvjeçaren “Emin Duraku” në Prishtinë. Menjëherë, pa shkëputje nga puna, regjistrihet në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Për një kohë të shkurtër merr titullin “Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe”. Tema e diplomës mbante titullin “Të folmet toske të trevës së Strugës”. Mentor e kishte gjuhëtarin e njohur dr. Latif Mulakun. Komisioni e vlerëson lartë temën e tij. Njëzëri komisioni shprehet se tema e Asan Asanit “Të folmet toske te trevës së Strugës” është në nivel të magjistraturës. Studimin e Asanit e shfrytëzoi arsimtari Islam Baftiari në Monografinë e tij “Jeta në gur” gjë që e begatoi atë Monografi.

Në vitin shkollor 1978-1979 Asan Asani kthehet në vendlindje dhe punon mjeshtër, ndërton shtëpi, si usta i dëgjuar. Meqë familjarët i kishte në Zvicër, i bëjnë garancion dhe e marrin në Zvicër. Atje bën punë të ndryshme. Ai nuk dinte se ç’ është pushimi, gjatë pushimit javor, mbante kursin e Gjuhës shqipe për fëmijët e kurbetçinjve.

Në Zvicër punoi derisa doli në pension.

Njëqind vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, e gjen në vendlindje. Me bashkëfshatarët e tij nga Zagraçani dhe Shumi, në qendër të Shumit te mulliri dhe me intelektualët Axhem Ademin dhe Bexhet Asanin e kremtojnë të gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë.

Prof. Asanin e preokuponin problemet shoqërore e politike në mbarë hapësirën shqiptare.

Kujdesi ndaj Gjuhës shqipe ishte i jashtëzakonshëm. Ai shqetësohej pamasë për bastardimin e gjuhës shqipe nga të rejat e të rinjtë në rrjetet siciale!

U mor me publicistikë gjersa dha frymën e fundit.
Prof. Asan Asani la pasardhës vajzën e djemtë, mbesa e nipër, të cilët kanë bërë emër në Zvicër.
Më 17 janar 1468 shkoi në amshim Skënderbeu!
Më 17 janar 2026 shkoi në amshim prof. Asan Asani!
Shkoi në botën e përtejme, në një datë historike, shpirti i trazuar i prof. Asan Asanit!
U prehsh në paqe shoku dhe kolegu im Asan Asani!
Ti ishe dhe do të mbetesh krenaria e fshatrave Zagraçan dhe Shum!

Nga Bexhet Asani

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!