Friday, January 16, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniAzir Aliu: Pirja e duhanit – çmimi shëndetësor dhe ekonomik që e...

Azir Aliu: Pirja e duhanit – çmimi shëndetësor dhe ekonomik që e paguajmë të gjithë

Shkruan:
Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë

Pirja e duhanit – çmimi shëndetësor dhe ekonomik që e paguajmë të gjithë

Ka probleme në shoqëri që nuk zgjidhen me një debat “pro” ose “kundër”, as me moralizime të reja. Pirja e duhanit është pikërisht një problem i tillë – një zakon i rrënjosur thellë, rutinë kulturore dhe, mbi të gjitha, një barrë e madhe për shëndetin publik. Në një sistem që duhet të kujdeset për të gjithë, nuk mund të thuhet se pirja e duhanit është “çështje private” që mbaron me zgjedhjen personale. Përkundrazi, ajo përfundon në ajrin që e ndajmë dhe e thithim të gjithë. Prandaj, Propozim-ligjin e ri për mbrojtje nga duhani nuk e shoh si mekanizëm ndëshkues, por si ligj për avancimin e shëndetit publik dhe parandalimit.
Qëllimi i tij është i qartë dhe i saktë: mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve, të rinjve dhe jo-duhanpirësve nga efektet e dëmshme të duhanit dhe nikotinës. Ky ligj nuk është “kundër duhanpirësve”; ai është i ndërtuar normativisht për të qenë “për shëndetin e të gjithëve”. Në një pjesë të opinionit publik krijohet lehtësisht përshtypja se shteti “lufton njerëzit”, në vend që të luftojë shkaqet që i sëmurin njerëzit. Por, ne nuk po luftojmë qytetarët – ne po luftojmë varësinë dhe praktikat që e ushqejnë atë, ekspozimin që e pësojnë jo-duhanpirësit dhe normalizimin e pirjes së duhanit para fëmijëve.
Kur flasim për liri, duhet të jemi të saktë: liria e një personi për të pirë duhan nuk guxon ta shkelë lirinë e një personi tjetër për të marrë frymë në ajër pa tym. Në hapësirat publike dhe të përbashkëta, ajri nuk është pronë private. Kur dikush pi duhan në një hapësirë publike të mbyllur, në vendin e punës, në transport publik apo në taksi, ai tejkalon kufijtë e zakonit personal dhe krijon rreziqe shëndetësore për të tjerët. Ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit dhe aerosoleve të duhanit nuk është çështje shijeje apo qëndrimi, por çështje rreziku. Nuk ekziston nivel “i sigurt” ekspozimi, ndërsa pirja pasive e duhanit është shkak i provuar i sëmundjeve serioze tek jo-duhanpirësit.
Vendi i punës duhet të jetë i sigurt për shëndetin e të punësuarve, dhe këtu veçanërisht mendoj për punonjësit e gastronomisë – asnjë kamerier, banakier apo punonjës pastrimi nuk duhet të zgjedhë mes punës dhe shëndetit të vet.
Pirja e duhanit tek ne prej kohësh nuk është vetëm një zakon i keq i një pjese të popullsisë; shkalla e përhapjes së saj është tregues i një krize të shëndetit publik. Me rreth 45% duhanpirës, ne jemi ndër vendet me përqindjen më të lartë në Evropë. Në këtë kontekst të pirjes masive, qytetarët duhet të dinë se duhani është shkaku kryesor i parandalueshëm i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme. Veçanërisht shqetësuese është ekspozimi i fëmijëve dhe të rinjve, përdorimi në rritje i produkteve të reja të nikotinës dhe pasojat e pirjes pasive tek jo-duhanpirësit.
Pasojat shëndetësore janë vetëm njëra anë e medaljes; ana tjetër është kostoja e madhe ekonomike që e paguajmë si shoqëri. Sëmundjet e lidhura me pirjen e duhanit përbëjnë rreth 5% të BPV-së, ose afërsisht 738 milionë euro humbje vjetore për shkak të shpenzimeve shëndetësore dhe produktivitetit të ulur. Kjo do të thotë klinika të mbingarkuara, më shumë pacientë kronikë, më shumë mungesa nga puna dhe më shumë familje që paguajnë çmimin me shëndet, kohë dhe trauma fizike e psikologjike.
Një nga arsyet kryesore pse ishte e domosdoshme përgatitja e një zgjidhjeje të re ligjore janë ndryshimet në realitet. Varësia nga duhani po merr dimensione të reja dhe po tejkalon cigaren klasike – me shfaqjen e cigareve elektronike (me ose pa nikotinë), produkteve të duhanit të ngrohur, produkteve pa tym dhe atyre që imitojnë pirjen e duhanit. Nëse ligji do të mbetej me definicione të së kaluarës, ai do të ishte i verbër ndaj së tashmes. Në botën e IT-së kjo quhet problem “legacy”: rregulla që nuk e mbulojnë realitetin, ndërsa boshllëqet normative shndërrohen në kanale për shmangie. E njëjta gjë vlen edhe për politikat publike.

Prandaj, ligji përcakton qartë ndalimin e pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat publike dhe të punës, të mbyllura, për të gjitha produktet e duhanit dhe nikotinës, përfshirë cigaret elektronike dhe produktet e duhanit të ngrohur, si dhe në transportin publik, përfshirë taksitë. Bëhet fjalë për një përcaktim normativ parandalues, jo ideologjik: aty ku njerëzit duhet të ndajnë ajrin, shteti ka obligim ta bëjë atë ajër të sigurt.
Sektori i gastronomisë është pika më e ndjeshme, sepse aty zakonet janë më të dukshme dhe interesat më të forta. Ligji nuk udhëhiqet nga pamja e hapësirës, por nga cilësia e ajrit që e thithin njerëzit. Pirja e duhanit ndalohet në pjesët e mbyllura të objekteve gastronomike dhe në hapësira gjysmë të mbyllura ku ndarjet krijojnë ekspozim të njëjtë si në hapësirat e mbyllura. Me përjashtim, pirja e duhanit lejohet vetëm në hapësira realisht dhe funksionalisht të hapura jashtë objektit, me kushte të qarta – të hapura nga së paku tre anë dhe pa pengesa që e mbajnë ose e drejtojnë tymin.
Ligji ndërhyn edhe në disa hapësira publike të hapura ku ekspozimi është i pashmangshëm për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve. “E hapur” nuk do të thotë automatikisht e sigurt. Prandaj, pirja e duhanit kufizohet ose ndalohet rreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, në ngjarje sportive e kulturore, në hapësira për fëmijë dhe familje, dhe në vende ku njerëzit nuk mund ta shmangin ekspozimin.
Rregullohet edhe pirja e duhanit në automjete kur në to ndodhen fëmijë dhe të mitur, si dhe në automjete që janë vend pune. Automjeti është hapësirë e vogël e mbyllur me përqendrim të lartë tymi, ku fëmija nuk ka mundësi të mbrohet.
Ligji vendos theks të veçantë në parandalimin e varësive të reja. Ndalimi i aromave dhe shijeve (frutore, të ëmbla, mentol, bimore etj.) për të gjitha kategoritë e produkteve, përfshirë cigaret elektronike, është masë e fortë parandaluese, sepse këto shije janë të dizajnuara për ta lehtësuar përdorimin e parë dhe për ta përshpejtuar zhvillimin e varësisë, sidomos tek të rinjtë.
Njëkohësisht, vendoset ndalim i plotë i reklamimit, promovimit dhe sponsorizimeve nga industria e duhanit – në media, internet dhe rrjete sociale, përmes ngjarjeve, lojërave shpërblyese, zbritjeve dhe dhuratave. Marketingu nuk është informim; ai është ndikim, dhe ky ndikim më së shpeshti u drejtohet të rinjve.
Qëllimi i këtij ligji nuk është stigmatizimi apo poshtërimi i askujt, por ndihma. Prandaj, parashikohen programe parandaluese, informim, edukim dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë. Parandalimi është më efektiv, më i lirë dhe më njerëzor se trajtimi i pasojave.
Në fund, çdo ligj vlen aq sa zbatohet. Ligji përcakton qartë përgjegjësitë institucionale dhe sanksionet për shkelje. Pa zbatim, askush nuk do të mbrohet. Si inxhinier, e di se një sistem pa përgjegjësi të qarta gjithmonë përfundon me frazën “nuk është në kompetencën time”. Në shëndetin publik kjo nuk guxon të ndodhë.
Jemi të vetëdijshëm se ky ligj do të hasë rezistencë, sepse ndryshon zakone. Por, shteti nuk guxon të jetë peng i zakoneve që i sëmurin qytetarët. Shëndeti publik nuk është temë e politikës ditore, por e mbrojtjes afatgjatë dhe e rregullimit civilizues të hapësirës së përbashkët. Nuk kërkoj që dikush të ndihet fajtor; kërkoj vetëm të jemi racionalë dhe të drejtë – të mbrojmë fëmijët, punëtorët dhe ta bëjmë hapësirën publike më të shëndetshme. Në një sistem të mirë, rregullat nuk janë për të ndëshkuar, por për të mbrojtur nga rreziqe që individi nuk mund t’i kontrollojë vetë. Ajri i pastër krijon shëndet, ndërsa shëndeti është investimi më i mençur në të ardhmen.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!