VLEN: Strategjia 2025–2030 e ministrit Durmishi, mbështetje konkrete për sipërmarrësit vendorë
Ministria e Ekonomisë dhe Punës prezantoi Strategjinë Kombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030, një dokument strategjik me rëndësi të veçantë që përcakton drejtimin për zhvillimin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Maqedoni.
VLEN e vlerëson këtë Strategji si një hap konkret dhe të domosdoshëm drejt ndërtimit të një ekonomie më të fortë, më të drejtë dhe më konkurruese, duke pasur parasysh se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 99 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe sigurojnë punësim për pothuajse tre të katërtat e të punësuarve në vend.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se kjo Strategji nuk është thjesht një dokument formal, por një angazhim i qartë politik dhe institucional për mbështetjen reale të sipërmarrësve vendorë, duke krijuar kushte që NVM-të të jenë bartëse të zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
VLEN përshëndet qasjen gjithëpërfshirëse të ministrit Durmishi në hartimin e kësaj Strategjie, si dhe harmonizimin e saj të plotë me politikat dhe standardet e BE-së, çka e përgatit drejtpërdrejt ekonominë e vendit për integrimin në Tregun e vetëm evropian.
Strategjia 2025–2030 parasheh masa konkrete për thjeshtimin e rregullativave, përmirësimin e qasjes në financa, si dhe mbështetje të fuqishme për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe potencialit eksportues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
VLEN e mbështet plotësisht këtë dokument strategjik dhe angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për implementimin e tij në bashkëpunim me institucionet relevante, odat ekonomike, sektorin financiar dhe partnerët ndërkombëtarë, duke siguruar transparencë, monitorim të vazhdueshëm dhe rezultate të matshme.
Me këtë Strategji, Qeveria konfirmon përkushtimin e saj për forcimin e sipërmarrësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.













