Fetai: Reçaku, plagë e hapur në ndërgjegjen tonë kolektive
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka përkujtuar sot 15 Janarin 1999 dhe Masakrën e Reçakut, duke e cilësuar këtë ngjarje si një plagë të hapur në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve.
Në një postim në Facebook, Fetai kujtoi 45 civilët shqiptarë të vrarë në Reçak, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga aktet më të rënda të dhunës së regjimit serb ndaj popullit të Kosovës. Sipas tij, ky krim tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u shndërrua në një pikë kthese drejt ndërhyrjes ndërkombëtare.
“Reçaku e bëri të pamohueshme të vërtetën për spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë”, ka shkruar Fetai, duke nënvizuar se kjo ngjarje mbetet dëshmi e sakrificës, dinjitetit dhe të drejtës për liri.
Në fund të postimit të tij, zëvendëskryeministri u shpreh se kujtimi për Reçakun duhet të mbetet i gjallë, ndërsa u përkul me respekt para viktimave, duke theksuar se lavdia e tyre është e përjetshme.













