Një zjarr me përmasa të mëdha ka shpërthyer në një apartament në qytetin e Tetovës, duke shkaktuar pasoja tragjike. Sipas të dhënave fillestare, jozyrtare, një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime si pasojë e flakëve.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë ekipet e zjarrfikësve. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.
Komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Tetovë, Avni Ameti, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka bërë të ditura detaje shtesë lidhur me ngjarjen.
“Fatkeqësisht, kemi një viktimë dhe një person të lënduar. Zjarri ka shpërthyer në një apartament në katin e shtatë të Bllokut 70. Viktima dyshohet të ketë qenë rreth 70 vjeç, ndërsa personi i lënduar është djali i tij. Të dy janë të përkatësisë etnike maqedonase”, deklaroi Ameti.













