Gashi: Kuvendi miratoi anëtarët e rinj të Këshillit gjyqësor dhe verifikoi mandatin e deputetit Tahiri
Në seancën e sotme të 80-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Sipas Gashit, deputetët kanë miratuar propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit gjyqësor, të paraqitura nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova e cila edhe iu drejtua Kuvendit për të arsyetuar këto kandidatura.
“U miratuan propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të paraqitura nga presidentja e shtetit, znj. Gordana Siljanovska Davkova”, thekson Gashi.
Me këtë rast, Arlinda Kadri-Shahinoviq dhe Suzana Joshevska-Anastasovska u zgjodhën anëtare të Këshillit gjyqësor, organ kyç për funksionimin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.
Në të njëjtën seancë, njëherësh Kuvendi ka ndërmarrë edhe një tjetër vendim procedural, ku është verifikuar mandati i deputetit të ri nga VLEN, Zeqirija Tahiri.













