Sunday, January 11, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniLigj i hekurt kundër duhanit në Maqedoninë e Veriut: Gjoba nga 2.000...

Ligj i hekurt kundër duhanit në Maqedoninë e Veriut: Gjoba nga 2.000 deri në 5.000 euro

Maqedonia e Veriut përgatit një Ligj krejtësisht të ri dhe dukshëm më të rreptë për mbrojtje nga duhani, me të cilin ashpërsohen ndjeshëm rregullat për përdorimin, shitjen, reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës. Projektligji, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, u publikua sot pasdite në ENER dhe synon mbrojtje sistemike të shëndetit publik dhe uljen e një prej shkaqeve kryesore të vdekshmërisë dhe sëmundjeve kronike në vend – pirjes së duhanit.

Ndalim i plotë i pirjes së duhanit në pothuajse të gjitha hapësirat publike dhe të punës

Me projektligjin vendoset ndalim i plotë i pirjes së duhanit, cigareve elektronike, duhanit të ngrohur dhe produkteve të tjera të nikotinës në:

Objektet e institucioneve shëndetësore, të mbrojtjes sociale, arsimore-edukative, kulturore dhe rekreative, si dhe organizatat për kulturë fizike dhe sport;

Para hyrjeve të institucioneve shëndetësore, të mbrojtjes sociale dhe institucioneve arsimore-edukative;

Në dhe para objekteve për qëndrim dhe akomodim të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve;

Në objektet ku ndodhen organet shtetërore dhe organet e njësive të vetëqeverisjes lokale;

Në objektet dhe mjetet që përfaqësojnë vende pune;

Në të gjitha llojet e transportit publik, përfshirë transportin rrugor, hekurudhor, ajror dhe ujor, teleferikët dhe ashensorët e skive;

Në objektet e aeroporteve, stacioneve hekurudhore dhe të autobusëve, si dhe portet liqenore;

Në stacionet e transportit publik urban dhe ndërurban;

Në automjet privat në prani të një fëmije;

Në objektet ku kryhen veprimtari tregtare, tregje dhe panaire;

Në objektet e subjekteve hotelierike për akomodim, sipas Ligjit për veprimtarinë hotelierike, përfshirë objektet bazë dhe ato komplementare të akomodimit;

Në objektet e subjekteve hotelierike për ushqim, përfshirë restorante, bare, restorante tradicionale – mehana, mensa dhe objekte të tjera ushqimore;

Në hapësirat e përbashkëta të ndërtesave banesore dhe pjesët e përbashkëta të ndërtesës (korridore, ashensorë, kaldaja të përbashkëta etj.), të përcaktuara me ligj;

Në objektet e stacioneve policore, institucioneve ndëshkuese-korrektuese dhe edukuese-korrektuese;

Në objektet e organizatorëve të lojërave të fatit, sipas Ligjit për lojërat e fatit;

Në dhe para objekteve ku organizohen veprimtari argëtuese dhe rekreative për fëmijë (si lojëra për fëmijë dhe institucione private për kujdesin e fëmijëve).

“Në objektet dhe hapësirat, personi përgjegjës i subjektit juridik është i detyruar të vendosë shenjë për ndalimin e pirjes së duhanit dhe të sigurojë kontroll për zbatimin e ndalimit”, thuhet në projektligj.

Pirja e duhanit do të lejohet vetëm në hapësira të jashtme të përcaktuara rreptësisht, të cilat duhet të jenë të ndara fizikisht, të hapura nga së paku tre anë dhe pa ndarje xhami, plastike apo najloni.

Kufizime drastike për reklamimin dhe promovimin

Projektligji parashikon ndalim të plotë të reklamimit dhe promovimit direkt dhe indirekt të shitjes së duhanit dhe produkteve të tjera që përmbajnë duhan dhe/ose nikotinë.

Vëmendje e veçantë i kushtohet përmbajtjes mediatike dhe artistike. Paraqitja e pirjes së duhanit në filma, seriale, programe televizive, videolojëra dhe përmbajtje në internet do të jetë rreptësisht e kufizuar dhe e lejuar vetëm kur është pjesë e domosdoshme e konceptit artistik për audiencë të rritur, me mesazh shëndetësor të detyrueshëm se pirja e duhanit është e dëmshme.

Ndalim i aromave dhe shijeve – fund për mentolin dhe shijet frutore

Një nga dispozitat më të rrepta është ndalimi i plotë i prodhimit, importit dhe shitjes së produkteve të duhanit dhe nikotinës me aroma dhe shije. Kjo përfshin edhe cigaret elektronike, lëngjet me dhe pa nikotinë, duhanin e ngrohur dhe produktet pa tym.

Sipas projektit, këto shije i targetojnë drejtpërdrejt të rinjtë dhe rrisin gjasat për krijimin e hershëm të varësisë nga nikotina.

Rregulla strikte për shitjen dhe ekspozimin

Me ligjin e ri ndalohet shitja e produkteve të duhanit për copë, përmes automatëve, vetëshërbimit dhe online. Duhani dhe nikotina nuk do të lejohen të shiten në objekte hotelierike, në plazhe, tregje, panaire dhe gjatë ngjarjeve publike.

Ekspozimi i cigareve dhe produkteve të tjera në vende të dukshme në dyqane ndalohet. Ato do të duhet të ruhen në dollapë të mbyllur.

“Dollapët e magazinimit duhet të jenë të ndërtuar në mënyrë që të pengohet paraqitja vizuale e produkteve të duhanit ndaj konsumatorëve kur dollapët janë të hapur. Dollapët për magazinimin e duhanit dhe produkteve që përmbajnë duhan dhe/ose nikotinë, si dhe pajisjet për konsumimin e tyre, nuk guxojnë të kenë ndriçim të jashtëm dhe duhet të jenë në ngjyra që nuk tërheqin vëmendjen e vizitorëve”, thuhet në projektligj.

Gjoba të larta dhe mbyllje objektesh

Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit do ta kryejnë Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Inspektorati i Punës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, si dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, sipas kompetencave ligjore.

Projektligji parashikon gjobë të larta – nga 2.000 deri në 5.000 euro për persona juridikë, deri në 2.000 euro për persona përgjegjës dhe deri në 300 euro për persona fizikë. Inspektorët do të kenë kompetencë të shqiptojnë edhe ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë – deri në tre muaj për subjektet që nuk e respektojnë ndalimin e pirjes së duhanit.(INA)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!