Ndalohet plotësisht pirja e duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura me karakter publik, pa përjashtime, si dhe kufizim drastik i importit, shitjes dhe ekspozimit të cigareve dhe pajisjeve elektronike. Në përgatitje e sipër është një ligj i ri për pirjen e duhanit.
Ndalimi i pirjes së duhanit do të vlejë për të gjitha objektet e gastronomisë, duke përfshirë restorante, bare, mejhane dhe kantina. Për më tepër, pirja e duhanit do të ndalohet edhe në tarracat e kafeneve dhe restoranteve nëse ato nuk janë të hapura plotësisht nga të paktën tre anë, që do të thotë se një pjesë e madhe e tarracave gjysmë të hapura nuk do të mund të përdoren më për këtë qëllim.
Ata që nuk konsumojnë duhan thonë se ligji është i shkëlqyer dhe se duhet të miratohet urgjentisht, sipas tyre ata vuajnë më shumë se duhanpirësit kur ndodhen në të njëjtën hapësirë.
“Ligj i shkëlqyer, ata që nuk pinë duhan vuajnë”, tha një qytetar.
Do të ishte më e mençur, por kush do ta zbatojë. Nëse pinë, le të pinë në tarracë, këtu, atje, e jo brenda. Ata që nuk pinë duhan e pësojnë më shumë se ata që pinë”, u shpreh një qytetar.
Ligji parashikon edhe zgjerimin e ndalimit në disa vende dhe situata tjera, ndër të cilat pirja e duhanit në automjet nëse brenda ndodhet një fëmijë, si dhe në stacionet e autobusëve dhe trenave, tregje dhe hapësira të tjera publike.
Duhanpirësit, nga ana tjetër, mendojnë se ligji duhet të miratohet, por edhe të sigurohet hapësirë për ta ku mund të pinë duhan.
“Është në rregull, edhe pse jam duhanpirës, por është në rregull, duhet të jetë kështu që të mos i helmojmë të tjerët rreth nesh, pajtohem të ketë një ligj të tillë. Por duhet gjithsesi të sigurohet vend edhe për duhanpirësit, megjithatë pirja e duhanit nuk është e ndaluar, ndalohet vetëm në ato hapësira, që do të thotë se duhet të ketë hapësira edhe për duhanpirësit”, theksoi një qytetar.
Dispozitat e reja nuk bëjnë dallim mes produkteve klasike të duhanit dhe alternativave moderne. Të njëjtat ndalime do të vlejnë edhe për të gjitha llojet e cigareve elektronike dhe pajisjeve “vejp”, ndërsa parashikohet edhe ndalim i plotë për cigaret e aromatizuara dhe produktet me nikotinë. Një goditje shtesë për industrinë e duhanit dhe tregtarët është ndalimi i reklamimit dhe ekspozimit vizual të cigareve. Sipas rregullave të reja, si cigaret e zakonshme ashtu edhe ato elektronike nuk do të lejohen të ekspozohen dukshëm në raftet e marketeve dhe pikave të shitjes.
Statistikat tregojnë se çdo vit rreth 4.000 persona në Maqedoni humbin jetën si pasojë e sëmundjeve të lidhura me pirjen e duhanit./ Alsat.mk













