
Përmbytjet në disa pjesë të vendit, Muhamed Ali thotë se ekipet e QMK-së ndodhen në terren
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se po e ndjekin vazhdimisht situatën e krijuar pas reshjeve të dendura që pasditen e sotme përfshinë disa qytete të vendit.
Ali ka thënë se ekipet ndodhen në terren dhe po intervenojnë për të pastruar rrugët dhe për të siguruar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Si drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza, po e ndjek vazhdimisht situatën pas reshjeve të dendura. Në disa rajone ka pasur rrëshqitje të dheut, përmbytje të tokës bujqësore dhe objekteve, si dhe ndërprerje të pjesshme të qarkullimit. Ekipet tona janë në terren dhe po intervenojnë për të pastruar rrugët, larguar rrëshqitjet dhe siguruar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që çdo problem ose situatë të rrezikshme ta raportoni menjëherë në numrin 112 dhe të ndiqni udhëzimet e institucionit tonë dhe të njësive lokale”, thekson drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.













