
20 vjet pa dijetarin Jakup Asipi (Zoti e Mëshiroftë)
Para veprës heshtin fjalët!
Sot shënohen 20 vjet nga ndarja nga jeta e dijetarit, imamit dhe veprimtarit të shquar kombëtar Jakup Asipi, një emër që la gjurmë të pashlyeshme në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.
Jakup Asipi lindi më 2 shkurt 1951 në fshatin Sllupçan. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, shkollimin e mesëm në Damask të Sirisë, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Universitetin Al-Az’har në Egjipt, një nga qendrat më prestigjioze të dijes islame. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Bejrut të Libanit, duke u formuar si një dijetar me horizont të gjerë shkencor dhe fetar.
Gjatë viteve 1985–1990 shërbeu si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku dha një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore dhe kombëtare te mërgata shqiptare. I vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të popullatës shqiptare në trojet etnike, në vitin 1990 u kthye në vendlindje për të qenë pranë popullit të tij.
Ligjëratat e tij dalloheshin për qartësi, guxim dhe qëndrueshmëri, çka bëri që shpesh të përballej me kërcënime dhe marrje të shumta në pyetje nga autoritetet e asaj kohe. Ai nuk u zmbraps asnjëherë nga bindjet e tij për drejtësi dhe liri.
Gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni, Jakup Asipi u shqua si një ndër figurat kyçe në organizimin dhe përkrahjen e rezistencës, i bindur se vetëm përmes kryengritjes populli shqiptar mund t’i fitonte të drejtat dhe liritë e mohuara.
Jakup Asipi ndërroi jetë më 7 janar 2006, si pasojë e një aksidenti trafiku në autostradën Shkup–Kumanovë.
Sot, dy dekada më vonë, kujtimi dhe vepra e tij mbeten frymëzim për brezat që besojnë në dije, dinjitet dhe liri.
Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet.
Struga Ekspres













