
Java që vjen do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm, me luhatje të shpeshta, temperatura më të larta se mesatarja për këtë periudhë dhe prani të erërave, herë pas here të fuqishme nga drejtimi jugor.
Gjatë së hënës dhe së martës priten reshje shiu lokale dhe të përkohshme. Për shkak të depërtimit të masave ajrore të ngrohta nga jugu, reshje shiu do të ketë edhe në zonat malore, ndërsa temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë stinë.
I gjithë territori i Maqedonisë do të ndikohet nga një sistem ciklonik i vendosur në perëndim dhe veriperëndim të rajonit, afërsisht mbi Italinë, çka do të kushtëzojë mot të ndryshueshëm, jo të qëndrueshëm, me reshje të herëpashershme dhe erëra jugore që në disa momente do të jenë mjaft të forta.
Në Shkup parashikohen kushte të ngjashme, me shira lokalë të përkohshëm dhe intervale me erëra të forta jugore gjatë kësaj periudhe.
Temperaturat minimale të mëngjesit do të jenë mbi zero në të gjithë vendin, ndërsa gjatë ditës vlerat maksimale do të lëvizin nga 8 deri në 15 gradë Celsius, me mundësi që në disa zona të tejkalojnë edhe këtë kufi.













