
Vazhdojnë punësimet e shqiptarëve dhe përmirësimi i përfaqësimit institucional nën udhëheqjen e koalicionit VLEN.
Në burgun e Manastirit, ku zëvendësdrejtor është Fikret Hoxha, brenda një periudhe të shkurtër janë punësuar tre shqiptarë me vendime pune të përhershme, duke shënuar një kthesë të qartë pas dy dekadash stagnimi.
Për 20 vite me radhë, në këtë institucion ka qenë i punësuar vetëm një gardian shqiptar, ndërsa me ardhjen e VLEN-it në Qeveri dhe me emërimin e Hoxhës në këtë pozitë, përfaqësimi i shqiptarëve ka nisur të rritet në mënyrë të dukshme.
Të punësuarit e rinj janë pranuar në pozita gardianësh (policë). Edhe pse gjatë dy dekadave janë regjistruar formalisht tri punësime shqiptare, njëri ka dalë në pension dhe një tjetër është larguar, duke bërë që për vite të tëra numri real i shqiptarëve të mbetet i pandryshuar – vetëm një i punësuar aktiv.
Kjo situatë dëshmon qartë se BDI, për 20 vite qeverisje, nuk ka ndërmarrë asnjë hap real për përmirësimin e punësimeve të shqiptarëve në burgun e Manastirit, duke e lënë përfaqësimin në nivel simbolik.
Fikret Hoxha është emëruar zëvendësdrejtor vitin e kaluar dhe, edhe pse VLEN ndodhet ende në mes të mandatit qeverisës, rezultatet tashmë janë konkrete dhe të matshme.
Ndërkohë, edhe Raporti zyrtar për vitin 2024 konfirmon këtë trend pozitiv, duke treguar se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është rritur nga 21.7 për qind në 22.3 për qind, që nga ardhja e VLEN-it në Qeveri.













