
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është konfirmuar si forca politike kryesuese në shumicën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare. Ajo ka arritur të dalë e para pothuajse në të gjitha këto komuna, duke lënë pas partitë rivale.
Përjashtim bëjnë vetëm disa komuna: në Skenderaj dhe Drenas vazhdon të dominojë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa në Deçan vendin e parë e ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në të gjitha komunat e tjera me shumicë shqiptare, LVV ka fituar epërsinë.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka arritur të renditet e para në asnjë komunë.
LVV ka dalë parti fituese në komuna si: Prishtina, Prizreni, Peja, Ferizaj, Gjilani, Gjakova, Mitrovica, Podujeva, Vushtrria, Fushë Kosova, Suhareka, Rahoveci, Lipjani, Klina, Malisheva, Shtimja, Istogu, Dragashi, Obiliqi, Vitia, Kaçaniku, Kamenica, Hani i Elezit dhe Juniku.
Ndërkohë, Lista Serbe ka ruajtur epërsinë e saj tradicionale, duke dalë e para në të gjitha komunat me shumicë serbe.
Në Mamushë, sipas të dhënave preliminare, kryeson Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).













