
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga UBO Consulting në bashkëpunim me RTV Dukagjini, rezultatet e Exit Poll-it tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson zgjedhjet parlamentare të sotme në Kosovë me rreth 45.7% të votave. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me afërsisht 22.0% të mbështetjes, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pozicionohet e treta me rreth 15.6%.
Sipas këtij sondazhi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar rreth 5.3% të votave, ndërsa Nisma Socialdemokrate rreth 1.7%. Exit Poll-i është realizuar gjatë ditës së votimit me qytetarë në mbarë vendin dhe ofron një pasqyrë paraprake të rezultateve të mundshme, përpara se të përfundojë numërimi zyrtar i votave.
Valon Feka nga UBO Consulting ka bërë të ditur se hulumtimi është bazuar në një mostër të gjerë, me rreth 9 mijë anketa të zhvilluara në 80 qendra votimi, ndërsa margjina e gabimit vlerësohet të jetë rreth 1%.













