
Mexhiti: Kongresi i BDI-së është fillimi i fundit për BDI-në
Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet e fundit në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke thënë se pakënaqësitë pas kongresit të kësaj partie janë të mëdha.
Në emisionin “Rishtaz” të gazetës “Koha”, Mexhiti deklaroi se ndonëse bëhet fjalë për çështje të brendshme të BDI-së, asnjëherë më parë pas një kongresi nuk ka pasur një “lavë pakënaqësish” siç ndodhi tani.
“Mendoj se është fillimi i fundit, fatkeqësisht, për BDI-në”, tha Mexhiti.
Ai tha se kongresi i fundit, sipas tij, nuk solli reforma reale, por vetëm “ndryshim emrash e numrash”, ndërsa shtoi se BDI po mundohet të krijojë përshtypjen e reformimit për opinionin dhe bashkësinë ndërkombëtare, madje edhe duke iu afruar partive maqedonase, si VMRO-DPMNE.
Mexhiti deklaroi se në BDI “ndërrohet gjithçka, përveç të parit”, duke e krahasuar situatën me kohën e Titos. “Edhe pas Titos – Tito!”, u shpreh ai.
Sipas Mexhitit, BDI është në rënie të lirë dhe po ndjek rrugën e subjekteve shqiptare në Maqedoni të Veriut që fillojnë fuqishëm, por më pas dobësohen.
Ai shtoi se BDI është në kontradiktë me vetveten, sepse vazhdimisht flet për “degradim të çështjes shqiptare”, ndërsa rezoluta e tyre kryesore, sipas tij, është “Maqedonia unitare”.
Në fund, Mexhiti theksoi se përplasja e tij me BDI-në ka qenë me individë dhe jo me anëtarësinë, duke bërë thirrje që struktura e shëndoshë, sidomos eshaloni i dytë dhe i tretë, të gjejë vend në VLEN.













