
Fetai nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me UNT-në: Hap drejt afrimit të të rinjve në proceset vendimmarrëse
Sot në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka nënshkruar Memorandum mirëkuptimi me Rektorin e këtij institucioni të lartë arsimor. prof. dr. Bekim Fetaji.
Sipas Fetait, ky akt paraqet një hap konkret drejt afrimit të të rinjve me proceset vendimmarrëse dhe përgatitjes së tyre për të ardhmen.
“Ky bashkëpunim i rëndësishëm hap dyert për studentët tanë të talentuar që të kryejnë praktikë profesionale në kabinetin tim, si dhe mundëson përfshirjen e ekspertëve akademikë në projektet tona për qeverisje të mirë, transparencë dhe digjitalizim. Është një hap konkret drejt afrimit të të rinjve me proceset vendimmarrëse dhe përgatitjes së tyre për të ardhmen. Faleminderit Universitetit “Nënë Tereza” për partneritetin dhe angazhimin e përbashkët për një shoqëri më të mirë”, ka theksuar zëvendëskryeministri Fetai.
















