
Besar Durmishi: Këtë vit vendosëm themelet e rritjes ekonomike, 2.39 miliardë denarë për Vetëpunësimin në 2026-tën
Viti 2025 ishte viti i vendosjes së themeleve të forta për rritjen ekonomike, tha Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një brifing me gazetarë ku bëri përmbledhje të punës së tij gjatë vitit 2025.
“Këtë vit ia kemi kushtuar vendosjes së një themeli të fortë për rritjen ekonomike – përmes ligjeve, strategjive dhe masave konkrete që sjellin rregull në tregun e punës, mbështetje për investimet dhe lehtësim të procedurave për bizneset. Jam i bindur se pikërisht zgjidhje të tilla sistemike janë mënyra reale për ta përmirësuar ekonominë: me më shumë punë formale, më shumë investime, produktivitet më të lartë dhe një nagrkesë më të vogël administrative”, tha Durmishi.
Ai deklaroi se në vitin e ardhshëm do të vazhdojnë me përkushtim për zbutjen e papunësisë dhe rritjen ekonomike. Dëshmi për këtë, siç tha Durmishi, është buxheti rekord për Planin Operativ për Programet dhe Masat Aktive të Punësimit për vitin 2026,
“Buxheti është 2.39 miliardë denarë, dhe qëllimi është që masat të fillojnë në kohë dhe me një shtrirje më të madhe. Po përqendrohemi te të rinjtë – për punësim, vetëpunësim dhe trajnim në aftësitë e kërkuara nga tregu – por edhe te kategoritë e rrezikuara, veçanërisht të papunët me nivel të ulët arsimimi. Në vitin 2025, pavarësisht miratimit të vonshëm të planit, ka masa me efekt të fortë, siç është punësimi dhe rritja e subjekteve juridike, ku është arritur efekti mbi të qe kemi planifikuar, dhe janë pikërisht këto përvoja që po i shndërrojmë në një plan më të dizajnuar për vitin 2026”, deklaroi ministri Durmishi.
Ministri tha se në Vitin e Ri, fillon zbatimi i dy ligjeve kryesore që e trajtojnë drejtpërdrejt ekonominë aty ku është më e ndjeshme – ekonomia në të zezë dhe investimet, Ligji për angazhimin e personave për punën e përkohshme dhe sezonale, si dhe Ligji për mbështetjen financiare për Investimet, të cilat hyjnë në fuqi më 1 janar.













