Valbon Limani i AKI-së i ikë përballjes me Nevzat Bejtën
Kandidati i AKI-së për komunën e Gostivarit, Valbon Limani nuk i është përgjigjur ftesës për debat me kandidatin e VLEN, Nevzat Bejta.
Këtë informacion në rrjetet sociale e ka shpërndarë vetë Bejta i cili sonte është i
ftuar në emisionin “ZOOM” në TVM2, ku duhej të ishte i pranishëm edhe Limani.
“Si kandidat i koalicionit VLEN, kam pranuar ftesën për debat të drejtpërdrejtë. Përballë ishte paraparë të jetë kandidati i AKI-së, por ai zgjodhi të mos paraqitet. Debati do të ishte mundësi që qytetarët të dëgjojnë ballafaqim real rreth programit, platformës dhe vizionit për Gostivarin në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit”, ka shkruar Bejta.
Siç shprehet tutje Bejta, kush nuk ka argumente dhe u frikësohet fakteve, shmang përballjen.
“Qytetarët çdo ditë po e kuptojnë më qartë se keqqeverisja ka emër dhe përgjegjësi. 11 janari do të jetë vendimtar për rilindjen e Gostivarit”, ka theksuar Bejta.













