
Sot, me përgjegjësi të lartë dhe ndjenjë të thellë mirënjohjeje, pranova besimin për t’u emëruar Kryetar i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim – Strugë.
Falënderoj Kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti, për besimin e dhënë, përkrahjen e vazhdueshme dhe vizionin e tij të qartë politik. Ky besim nuk është vetëm personal, por është besim për Degën e Strugës, për strukturat tona dhe për potencialin që ka kjo degë për të qenë shtyllë e fortë e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Nga sot, mbi supe mbaj përgjegjësinë e degës së Strugës me potencial të jashtëzakonshëm politik, njerëzor dhe rinor. Me përkushtim të plotë, do të vazhdojmë punën së bashku me të rinjtë dhe të rejat e Degës së Strugës, me strukturat partiake dhe me çdo aktivist që beson në vlerat e Bashkimit Demokratik për Integrim me të vetmin qëllim: forcimin e BDI-së në Strugë dhe fitoren e radhës politike.
BDI në Strugë do të jetë e hapur, e bashkuar dhe e orientuar drejt qytetarëve, zhvillimit, stabilitetit dhe avancimit të të drejtave dhe perspektivës sonë të përbashkët.
Falënderoj nga zemra të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirët për përkrahjen, fjalët inkurajuese dhe mbështetjen në këtë rrugëtim politik. Kjo mbështetje më jep forcë dhe motivim për të ecur përpara me përgjegjësi dhe vizion.
Me respekt, përkushtim dhe besim në të ardhmen,do të punojmë së bashku për Strugën dhe për vlerat që na bashkojnë.
Faton Pollozhani-Kryetar i Degës së BDI-së-Strugë













