Si grup këshilltaresh (AKI) në Këshillin Komunal të Strugës, ndjejmë obligim të sqarojmë publikisht qëndrimin tonë për shkak të paqartësive dhe interpretimeve kontradiktore rreth punës së Këshillit.
Që nga seanca e parë konstituive kemi insistuar në respektimin e Rregullores, Statutit të Komunës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale — këto janë detyrime institucionale.
Seancën konstituive e lëshuam sepse, pa argumentim ligjor, u tërhoq nga rendi i ditës pika për zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit, edhe pse propozimi ynë ishte proceduar në Komision dhe duhej të diskutohej e të vendosej në seancë. Me 15 vota u krijua precedent procedural dhe, po atë ditë, seanca u mbyll de facto duke u kaluar në seancë të jashtëzakonshme pa rrethana të jashtëzakonshme.
Në fakt, kjo “seancë e jashtëzakonshme” u thirr edhe për një arsye tjetër: nuk u respektua afati 7-ditor për thirrjen e seancës së rregullt — jo sepse ishte urgjencë, por sepse nuk i kishin gati pazaret/marrëveshjet e tyre. Prandaj u zgjodh forma e jashtëzakonshmes, pasi aty praktikisht shmanget afati i ftesës.
Paqartësia vazhdoi edhe më pas: disa këshilltarë që votuan për tërheqjen e pikës, më vonë kontestuan procedurat, deklaruan se seanca konstituive nuk ishte mbyllur dhe e lëshuan edhe seancën e jashtëzakonshme.
Sot thirret sërish seancë e jashtëzakonshme për të njëjtën çështje, ndërkohë që ekzistojnë dy narrativa: ose seanca konstituive është ende e hapur dhe duhet të vazhdohet sipas procedurës, ose është e mbyllur dhe kjo duhet të argumentohet qartë dhe ligjërisht. Statuti përcakton rastet e seancës së jashtëzakonshme, prandaj pyetja është: si thirret seancë e jashtëzakonshme për një çështje që pretendohet se i përket ende seancës konstituive?
Zgjedhja e Kryetarit të Këshillit nuk është urgjencë politike, por proces që kërkon procedurë të rregullt dhe legjitimitet të plotë. Për ne nuk është problem emri apo përkatësia partiake, por mënyra. Një Kryetar i zgjedhur mbi procedura të kontestuara e nis mandatin me barrë politike dhe juridike.
Prandaj, nuk mund dhe nuk do t’i japim legjitimitet një procesi që bie ndesh me Statutin dhe Ligjin. Struga ka nevojë për institucione funksionale, jo për improvizime dhe manovra politike.
Reagimi nga këshilltarët e AKI-së-Strugë













