Meqë interesimi është i madh, dhe me të drejtë, po jap një sqarim për situatën e fundit të krijuar në Strugë pas zgjedhjeve lokale.
Ne nuk kemi zhvilluar bisedime konkrete me VMRO-DPMNE-në.
Ndryshe nga komunat e tjera, Struga ka specifika të veçanta. Këtu kemi pasur një kandidat të pavarur, të mbështetur nga VLEN dhe nga e gjithë qeveria. Ashtu siç i dhamë mbështetje dhe shans gjatë zgjedhjeve, po ashtu vazhdojmë edhe pas tyre.
Në funksion të realizimit të premtimeve dhe angazhimeve që VLEN-i ka marrë para qytetarëve, në këtë fazë, ne mbështesim realizimin e programit të kryetarit të komunës, z. Mendi Qyra, dhe krijimin e kushteve për zbatimin e tij. Në këtë proces, një rol garantues për realizimin e këtyre angazhimeve do ta kenë edhe kuadrot e VLEN-it.
Bisedimet me VMRO-DPMNE-në për formimin e shumicës në Këshillin Komunal dhe për ndarjen e pozicioneve lokale i zhvillon kryetari i komunës. Për ne, emrat dhe pozitat nuk janë parësore; ajo që ka rëndësi është një qeverisje e mirë, e ndershme, pa krim dhe korrupsion, si dhe sjellja e ndryshimit real në Strugë.
Çdo zgjidhje apo kandidat që do të dakordohet në këto bisedime, që do të vijë si propozim nga dialogu mes kryetarit të komunës dhe partnerëve tanë dhe që do të jetë në përputhje me këto parime, do të ketë përkrahjen tonë.













