Gashi: Mbrojtja e fëmijëve nga duhani kërkon përgjegjësi kolektive dhe qasje shumëdimensionale
Kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka hapur debatin publik të Komisionit për Shëndetësi me temën “Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet e dëmshme dhe pasojat e pirjes së duhanit”.
Në fjalën e tij, Gashi theksoi se lufta kundër pirjes së duhanit, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, nuk është vetëm çështje shëndetësore, por një përgjegjësi institucionale dhe kolektive që kërkon qasje shumëdimensionale. Ai bëri thirrje për dialog të hapur, të bazuar në fakte dhe ekspertizë profesionale, me qëllim forcimin e kornizës ligjore dhe zbatimin efektiv të saj.
Sipas Gashit, garantimi i të drejtës themelore për jetë të shëndetshme për brezat që vijnë duhet të jetë prioritet i përbashkët i institucioneve dhe shoqërisë në tërësi.
“Ju frymëzoj që këtë angazhim të mos e shihni vetëm si politikanë dhe funksionarë, por ta shihni në prizmin individual dhe njerëzor, ta shihni me sytë e një prindi. Sepse, në fund, nuk ka luftëtar më të madh se një prind që mbron fëmijën e tij”, ka shkruar Gashi në një postim në Facebook.













