Nga Prokuroria njoftojnë se kanë kërkuar paraburgim për dy shtetas të Maqedonisë, pronarë të një kompanie, të cilët dyshohen për evazion tatimor gjatë tregtisë me ar dhe stoli të arit, përcjell TV21. Ata dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej një milion eurove.
“Gjatë një periudhe pesëvjeçare, nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2024, të dyshuarit kanë shmangur pagesën e tatimeve dhe i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të shtetit në një shumë totale prej 64.924.298 denarë, apo mbi një milion euro. Të dy, në cilësinë e pronarëve dhe drejtuesve të një personi juridik nga Shkupi, me qëllim që të shmangnin plotësisht pagesën e tatimit personal mbi të ardhurat prej 11,11% dhe tatimit mbi vlerën e shtuar prej 18%, për të cilat ishin të obliguar me ligj, kanë dhënë të dhëna të rreme ose nuk kanë paraqitur fare fakte që kanë ndikim në përcaktimin e shumës së këtyre obligimeve, duke sjellë kështu në moskonstatimin e detyrimit tatimor. Evazioni tatimor është kryer duke shmangur deklarimin e obligimeve ligjore tatimore nga tregtia me stoli ari, shufra ari dhe argjend të papërpunuar, si dhe mbetjes pluhur nga përpunimi”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.













