Thursday, December 18, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniKush drejton makinën i dehur, shkon në burg dhe ia marrin makinën

Kush drejton makinën i dehur, shkon në burg dhe ia marrin makinën

Janë miratuar ndryshime të gjera ligjore që ashpërsojnë ndëshkimet për shkeljet e rënda në trafik. Vozitja nën ndikimin e alkoolit, drogave apo me shpejtësi të tejkaluar do të ndëshkohet me burgim dhe, në raste të caktuara, edhe me konfiskim të automjetit.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar ndryshimet e nevojshme ligjore për funksionalizimin e plotë të sistemit “Qytet i Sigurt”. Janë miratuar amendamentet në Ligjin për Automjete, Ligjin për Policinë, Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit. Ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje ndodhen ende në fazën e leximit të dytë, ndërsa paralelisht është iniciuar edhe harmonizimi i Kodit Penal me paketën e re ligjore.

Rregulloret e reja përcaktojnë qartë të gjithë procedurën – nga regjistrimi i shkeljes, njoftimi i kundërvajtësit, deri te zbatimi i masave ndëshkuese më të rënda. Sistemi “Qytet i Sigurt” pritet të nisë zbatimin e plotë më 1 shkurt.

Sipas dispozitave të reja, çdo shofer që brenda një periudhe katërvjeçare dënohet tri herë me ndalim të formës së prerë për drejtimin e automjetit të së njëjtës kategori, do të mbetet pa leje drejtimi. Vendimi merret nga gjykata, ndërsa personit të ndëshkuar i ndalohet dhënia e sërishme e provimit të vozitjes për të paktën një vit.

Vendimi gjyqësor i përcillet Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila më pas e njofton shoferin përmes SMS-it ose postës elektronike se leja e drejtimit pushon së vlefshmi brenda afatit prej tetë ditësh. Ndalimi i vozitjes mund të zgjasë nga një muaj deri në një vit, ndërsa të dhënat për masat e vendosura do të jenë të disponueshme edhe për autoritetet kufitare.

Për shtetasit e huaj që posedojnë leje drejtimi të lëshuar nga vende të tjera, ndalimi i vozitjes do të vlejë vetëm brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, për çka do të informohet edhe policia kufitare.

Ndryshime janë bërë edhe lidhur me të dhënat e kontaktit. Pronarët e automjeteve që ndryshojnë numrin e telefonit apo adresën elektronike janë të obliguar t’i përditësojnë këto informacione brenda tre ditësh në stacionet e kontrollit teknik. Mosrespektimi i këtij obligimi sanksionohet me gjobë prej 100 eurosh, ndërsa për personat juridikë parashikohen gjoba në përputhje me madhësinë e tyre.

Shkelësit e rregullave të komunikacionit do të njoftohen për kundërvajtjen përmes SMS-it dhe emailit, së bashku me procesverbalin dhe fotografitë përkatëse. Ata kanë të drejtë ankese në gjykatë, ndërsa nëse gjoba paguhet brenda tetë ditëve, shuma reduktohet në 50 për qind.

Reformat përfshijnë edhe rregullimin e mëtejshëm të sistemit të pikëve negative. Po ashtu, në matjen e shpejtësisë do të zbatohet tolerancë teknike, ku nga shpejtësia e regjistruar do të zbritet marzhi i gabimit të pajisjes.

Ligji ndalon kategorikisht drejtimin e automjetit nën ndikimin e drogave dhe substancave psikotrope. Autoshkollave u shtohen obligime të reja, ndërsa kandidatët për instruktorë, ligjërues, kontrollorë dhe provues do të duhet të kalojnë provim profesional para një komisioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po ashtu, përcaktohen më qartë zonat me komunikacion të qetësuar, duke përfshirë zonat shkollore dhe zonat me kufizim shpejtësie deri në 30 km/h.

Ndryshime domethënëse janë paraparë edhe në Kodin Penal. Për vepra të rënda penale në trafik, gjykata do të jetë e detyruar të shqiptojë ndalim të drejtimit të automjetit nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet. Në raste të përsëritura, gjykata mund të vendosë edhe konfiskimin e automjetit të shkelësit.

Për vozitje me mbi 1.5 promil alkool në gjak, për drejtim të automjetit nën ndikimin e drogave, për lëvizje në drejtim të kundërt, për parakalime të rrezikshme, tejkalim të theksuar të shpejtësisë, organizim apo pjesëmarrje në gara të ndaluara, si dhe për vozitje pa leje të vlefshme ose pa provim të dhënë, parashikohen dënime me burg nga tre muaj deri në tre vjet, si dhe gjoba financiare.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!