Kryeministri Mickoski ka sqaruar se Thesari nuk do të mbyllet më 15 dhjetor për të gjitha pagesat buxhetore, por kjo datë është caktuar si afat që institucionet t’i dorëzojnë me kohë urdhërpagesat. Sipas tij, përqendrimi i pagesave në ditët e fundit të dhjetorit krijon mbingarkesë dhe pamundësi që të gjitha të realizohen në kohë.
Ky sqarim vjen pas spekulimeve se pagesat nga buxheti që nuk kryhen deri më 15 dhjetor do të shtyhen pas festave të fundvitit. Mickoski konfirmoi gjithashtu se nëpunësit shtetërorë do ta marrin K15.
“Sigurisht që do të ketë tolerancë. Nëse dikush paraqitet më 20 dhjetor, kjo nuk do të thotë se kemi mbyllur dyert dhe puna ka përfunduar. Do të ketë fleksibilitet. Por qëllimi është të punojmë sipas planit, të jemi të vetëdijshëm se detyrat duhet të kryhen me kohë, të krijojmë shprehi dhe ta respektojmë planifikimin. Në vitet e kaluara, nga përvoja ime e vitit të kaluar, pothuajse gjithçka bëhej në momentet e fundit dhe disa çështje mbetën të papërfunduara, sepse Thesari fizikisht nuk mund ta përpunonte atë volum. Prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve që aktivitetet t’i planifikojnë me kohë”, deklaroi Mickoski.













