Gashi: Vlerat europiane na bashkojnë përtej dallimeve politike
Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale Liberale “Quo Vadis Europa 2025?”, e mbajtur në Shkup, ku u diskutua e ardhmja europiane e rajonit dhe sfidat e integrimit në Bashkimin Europian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve liberalë nga BE-ja dhe Europa Juglindore.
Në fjalën e tij, Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që partnerët europianë i kanë dhënë aspiratave europiane të vendit, duke theksuar se ky angazhim duhet të vazhdojë derisa vlerat politike, kulturore, ekonomike dhe liberale të BE-së të bëhen pjesë e pandashme e realitetit institucional dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut.
“Në mesin e liberalëve, sot po qëndron një politikan i qendrës së djathtë. Ka të tjerë edhe në shtigjet e së majtës. Megjithatë, ka diçka që na bashkon të gjithëve, ato janë vlerat europiane”, theksoi Gashi.
Konferenca “Quo Vadis Europa 2025?” u organizua nga Rrjeti Liberal i Europës Juglindore (LIBSEEN), me mbështetjen e ALDE, ELF dhe Parlamentit Europian, duke shërbyer si platformë e rëndësishme për shkëmbim idesh, dialog politik dhe forcim të partneriteteve rajonale dhe europiane.













