Thursday, December 11, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionArbëresha Vlashi, Ish-kryetarja e Këshillit të Komunës së Strugës reagon pas akuzave...

Arbëresha Vlashi, Ish-kryetarja e Këshillit të Komunës së Strugës reagon pas akuzave të këshilltarit të VMRO-së, Mite Stefoski

I nderuar këshilltar Mite Stefoski,

Gjatë seancës së dytë të Këshillit të Komunës së Strugës, në fjalimin tuaj u përmenda disa herë si person që gjoja nuk e ka respektuar Rregulloren e Punës së Këshillit, Statutin e Komunës së Strugës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale në seancën konstituive të mbajtur më 14.11.2025. Për këtë arsye ndihem e detyruar t’ju sqaroj juve dhe qytetarëve të Strugës disa rrethana që janë plotësisht të kundërta me atë që thatë në fjalimin tuaj.

E para: Prania ime atë ditë bazohej në nenin 37, paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku roli im është rreptësisht procedural, pa asnjë ndikim juridik apo politik, pa të drejtë vote, propozimi apo tërheqjeje të ndonjë pike nga rendi i ditës.

E dyta: Meqenëse pretendoni se seanca konstituive nuk ka përfunduar, më lejoni t’ju citoj nenin 3 të Rregullores së Punës së Këshillit të Komunës së Strugës:
“Konstituimi i Këshillit bëhet në seancën e parë konstituive. Këshilli konsiderohet i konstituuar nëse në seancë marrin pjesë dhe u verifikohen mandatet shumicës së anëtarëve të tij, sipas propozimit të Komisionit për Verifikim.”
Në seancën konstituive të datës 14 nëntor 2025 ishin të pranishëm 23 këshilltarë, Komisioni verifikoi mandatet e të gjithë këshilltarëve dhe, si hap i fundit, u dha betimi dhe u nënshkrua deklarata solemne.
Ju lutem më tregoni: cili nga këta hapa është shkelur nga unë, që sot të pretendoni se konstituimi nuk ka përfunduar?

E treta: Sipas nenit 15 të Rregullores së Punës, janë të përcaktuara qartë mënyrat se si një këshilltar mund të paraqesë ide, mendime, plotësime apo amendamente. Lidhur me pretendimin tuaj për shkelje nga ana ime, sqaroj se propozim-rendi i ditës përgatitet nga administrata komunale, e jo nga unë si ish-kryetare e Këshillit. Sa i përket asaj që varej nga unë: a mund ta mohoni që për propozim-rendin e ditës u hap diskutim nga ana ime?
Pyetja ime për ju është kjo: pse asnjë nga këshilltarët nuk e shfrytëzoi të drejtën, të parashikuar në Rregullore, për të kërkuar plotësim ose heqjen e ndonjë pike nga rendi i ditës? Përkundrazi, rendi i ditës u votua njëzëri.

E katërta: Kur u hap diskutimi për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, a mund të shpjegoni pse këshilltarët e VMRO-së morën pjesë në komisionin kandidues? Madje ju zgjodhët anëtarët dhe kryetarin e komisionit dhe përgatitët raportin që u lexua në vetë seancën konstituive. Për këtë çështje u detyroheni qytetarëve të Strugës një përgjigje: Pse nuk propozuat asnjë kandidat? A jua kam mohuar unë këtë të drejtë?
Dhe pse, përmes këshilltarit të VLEN-it, kërkuat që kjo pikë të tërhiqej nga rendi i ditës dhe me 15 vota vendosët që të hiqej – ndër të cilët ishit edhe ju! Në cilin moment unë nuk e respektova vendimin e shumicës apo Rregulloren?

E pesta: Ju pretendoni se seanca konstituive nuk është përfunduar pasi nuk është zgjedhur kryetari i Këshillit. Jam e bindur se e keni lexuar Rregulloren e Punës së Këshillit të Komunës së Strugës. A keni hasur ndonjë dispozitë që lejon kapërcimin e seancave? Nëse seanca konstituive nuk kishte përfunduar, atëherë si kërkuat ju mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme pa u përfunduar më parë seanca e filluar?

Dhe për të mos harruar – nëse i referohemi Ligjit, Statutit dhe Rregullores – a kishte ndonjë çështje urgjente që lidhej me SIGURINË dhe MBIJETESËN e qytetarëve? A isha unë apo ishit ju që kërkuat seancë të jashtëzakonshme pa pasur kushtet e nevojshme? Pyetem, sepse nëse ju si këshilltarë aktualë e kërkuat, atëherë shkelës të ligjit, Statutit dhe Rregullores jeni ju vetë.

E gjashta: Në fjalimin tuaj e vini në pikëpyetje punën e përbërjes së kaluar të Këshillit dhe aludoni se procedurat nuk janë respektuar. Mirëpo për kontrollin dhe ligjshmërinë e punës së Këshillit ekzistojnë institucione kompetente që e monitorojnë, vlerësojnë dhe verifikojnë atë. Prandaj ju lutem mos përhapni dezinformata, sepse në këtë mënyrë dëmtoni imazhin e Komunës së Strugës, të qytetarëve dhe të institucioneve që kanë për detyrë kontrollin ligjor.
Nuk do të lejoj të njolloset puna e këshilltarëve të mandatit të kaluar. Ju thoni se kushtet për zgjedhjen e kryetarit të ri ende nuk janë krijuar. Kjo as nuk ka qenë ndonjëherë, as nuk është sot kompetencë e imja. Përgjegjësia është tërësisht e juaja – anëtarët aktualë të Këshillit të Komunës së Strugës. Por duhet ta dini se kushtet për zgjedhjen e kryetarit janë krijuar me vetë verifikimin e mandateve tuaja; mosmarrëveshjet politike për zgjedhjen nuk janë dhe nuk mund të jenë përgjegjësi e kryetares së kaluar.

Në fund, më lejoni t’ju them: njerëzore është të gabosh, humane dhe fisnike është të pranosh gabimin, por aspak njerëzore është shmangia e përgjegjësisë duke ia hedhur fajin të tjerëve.
Ju uroj suksese në punë dhe shpresoj që do të bëni më të mirën për qytetarët e Strugës, duke vepruar drejt, përgjegjshëm dhe transparent në çdo hap.

Me respekt,
Arbëresha Vlashi
Ish-kryetare e Këshillit të Komunës së Strugës
# Komuna Strugës
# Struga Ekspres
# StrugaLajm.com

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!