Fetai takon Lawtonin dhe Tervakoskin: Vlerësohet mbështetja e SHBA-së për vendin
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka zhvilluar sot një takim shumë përmbajtjesor me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar në Departamentin e shtetit të SHBA-së.
“Me z. Lawton biseduam hapur dhe qartë për sfidat dhe mundësitë që kemi përpara në rrugën e forcimit të institucioneve tona dhe të qeverisjes së mirë”, shkruan Fetai në rrjetet sociale.
Në kuadër të vizitës, ai ka zhvilluar takim pune edhe me Drejtorin e Zyrës për Evropë dhe Azi pranë Byrosë për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit, z.Mark Tervakoski ku është folur për koordinimin e reformave dhe bashkëpunimin e mëtejshëm institucional.
“E vlerësoj thellësisht mbështetjen e SHBA-ve për vendin tonë. Ajo na jep forcë të vazhdojmë me vendosmëri reformat që garantojnë integritet dhe llogaridhënie. Besoj fuqishëm se një shtet funksional ndërtohet mbi punë të ndershme, institucione të forta dhe partneritete të qëndrueshëm. Në këtë rrugë, bashkëpunimi strategjik me SHBA-të mbetet i pazëvendësueshëm”, ka thënë zëvendëskryeministri Fetai.















