Fetai në Nju Jork takon mikun e madh të shqiptarëve Vito Fossella, ftohet ta vizitojë Dibrën
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai sot në Nju Jork ka realizuar takim me kryetarin e Staten Island dhe ish kongresmenin, mikun tonë të madh, Vito Fossella.
Biseda ka qenë e ngrohtë dhe meqenëse Staten Island është shtëpia e dytë e një komuniteti të madh dhe të suksesshëm dibran, Fossella është ftuar të vizitojë Dibrën.
“Pata një takim shumë të vlefshëm me kryetarin e Staten Island dhe ish kongresmenin, mikun tonë të madh, z. Vito Fossella. Biseda qe e ngrohtë, një dialog i vërtetë mes njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, dhe se forca e vërtetë e një shoqërie qëndron te komuniteti dhe te lidhjet ndërnjerëzore”, ka thënë Fetai.
Në takim është folur edhe për zhvillimet në rajon si dhe kontributin dhe sakrificat e mërgimtarëve tanë, punën e tyre të palodhur dhe historitë e suksesit në Nju Jork, “si dhe për mundësitë e reja për të ndërtuar ura edhe më të forta bashkëpunimi mes nesh”.
“Meqenëse Staten Island është shtëpia e dytë e një komuniteti të madh dhe të suksesshëm dibran e ftuam z. Fossella të vizitojë Dibrën që të shohë me sytë e tij vendlindjen, bukuritë natyrore, kulturën e pasur dhe rrënjët e mijëra bashkëqytetarëve të tij nga Staten Island.
Kudo që ka dibranë, ka punë të palodhur, sukses dhe krenari!”, ka thënë zëvendëskryeministri Fetai.













