Me shkas!
Teksa ky mëngjes gdhiu i qetë, m’u rikthye një përkujtim i largët. Sot bëhen plot 40 vite që jam paraburgosur.
Katër dekada të gjata, të mbushura me sfida, dhimbje, qëndresë dhe përballje me vetveten. Katër dekada në të cilat koha nuk ka kaluar thjesht, por është gdhendur në shpirtin tim me vulën e sakrificës.
E rikthej mendjen prapa, në atë ditë të ftohtë të 2 dhjetorit 1985.
Atëherë isha ende një djalë i ri, me zemër plot zjarr dhe mendje të trazuar nga ngjarjet dhe padrejtësitë që tronditnin vendin. Entuziazmi i rinisë më shtynte drejt ëndrrave, ndërsa realiteti i asaj kohe më vuri përballë një sprove që vështirë gjeje forcën ta përballoje.
Ishte ajo ditë kur u gjenda para zgjedhjes më të rëndë që mund t’i ndodhë një njeriu: të mbetesh besnik ndaj familjes dhe kombit, apo të pranosh rrugën e turpit që të ndjek deri në varr.
Mua më duhej të vendosja nëse do të isha vetvetja apo një hije e dikujt që nuk do të doja kurrë të isha.
Zgjodha besnikërinë, zgjodha dinjitetin, zgjodha të mos tradhtoja as veten, as familjen, as gjakun tim – pavarësisht çmimit.
Dhe çmimi ishte i rëndë.
Që atëherë kam kaluar nëpër shumë qeli, biruca dhe korridore të errëta paraburgimi në burgje të ndryshme të vendit.
Aty kam dëgjuar zhurmën e hekurave që mbyllen pas meje, kam ndjerë ftohtësinë e mureve të lagështa dhe heshtjen që të gërryen shpirtin.
Kam parë fytyrat e padrejtësisë, por nuk kam lejuar asnjëherë që të shuhet brenda meje fuqia e qëndresës.
Këto 40 vjet nuk janë thjesht një numër në kalendar – janë një jetë e tërë.
Janë net pa gjumë, janë mendime të mbajtura gjallë me shpresë, janë plagë që nuk duken, por peshojnë më shumë se zinxhirët vetë.
Dhe sot, në këtë përvjetor, unë nuk shikoj vetëm dhimbjen dhe padrejtësinë që kam kaluar unë dhe shumë shokë të tjerë si unë, por edhe forcën që u ngrit brenda nesh.
Shikoj njeriun që, pavarësisht gjithçkaje, nuk u thye. Sepse ka gjëra në jetë që vlejnë më shumë se liria fizike, siç janë nderi, besa dhe e vërteta që të mban kokën lart.
Ky fat i imi ka qenë i njëjtë me atë të qindra e mijëra veprimtarëve që sakrifikuan rininë; dhe disa dhjetëra e qindra të tjerë, fatkeqësisht, edhe më të shtrenjtën – jetën e tyre.
Lavdia u takon gjithë dëshmorëve të lirisë dhe veprimtarisë së pashembullt, të të gjitha plejadave dhe brezave të ish të burgosurve që nuk jetojnë më.
Si relikt për rikthim kujtese, më shtyu edhe një punim me dorën time: një cigarellëk (çibuk), i gdhendur prej meje edhe pse nuk kam punuar si marangoz. Atje në Idrizovë më mbeti si trofe i vetëm ndër gjithë këto vite.
Gjatë vizitave të familjarëve, fshehurazi nxirrja ndonjë laps kimik me shqiponjë ose me figurën e Skënderbeut, punuar nga druri.
Më kujtohen vizitat e prindërve, sidomos të nënës time, tani të ndjerë. Ai pesëkilogramshi i ushqimit, i limituar, që me shumë sakrificë arrinte deri në duart tona.
Vuajtjet dhe stërmundimi gjatë rrugës së gjatë, vështirësitë e panumërta…
Kanë ndodhur edhe ndërprerje të vizitave në disa raste, sepse urdhri jepej që komunikimi me familjarët të bëhej në gjuhën sllave – sidomos me nënën, që nuk e kuptonte slavishten.
Tani që jeta më ka bekuar me familjen time, me nipër e mbesa, shoh se çdo sakrificë që bëra dikur ka marrë kuptim.
Për ju, brezat që vini pas nesh, dua të lë këtë porosi:
Ruajeni lirinë, vlerësojeni paqen dhe mos lejoni kurrë që padrejtësitë të vendosin hije mbi jetën tuaj!
Jeta do t’ju vërë përballë sfidave, por mbani gjithmonë të fortë karakterin, të pastër ndërgjegjen dhe të hapur zemrën.
Kujtoni se liria dhe dinjiteti nuk trashëgohen thjesht si fjalë; ato ruhen dhe mbrohen çdo ditë me veprimet tuaja, me mënyrën si silleni me njëri-tjetrin në përditshmëri.
Uroj që jeta t’ju japë mundësi të ecni më të lirë, më të sigurt dhe më të lumtur se brezi im, por pa harruar kurrë çfarë ka kaluar vendi ynë, njerëzit tuaj dhe kombi ynë.
Është një përshkrim shumë i vogël, i shkëputur nga dromcat e jetës, që kam dashur ta ndaj me ju, të nderuar miq.
Jeta është sprovë dhe shumë e rëndësishme që, si njerëz, të arrijmë ta ruajmë integritetin dhe karakterin tonë mes nesh si shoqëri!
Autor: Garip Kaba













