Xhelili: Emërimi im në krye të Gostivarit konform ligjit, jam i gatshëm të mbetem në garë si kandidat i VLEN-it
I besuari i qeverisë për komunën e Gostivarit, Fadil Xhelili në intervistën për Alsat-M ka thënë se vendimi qeveritar për të emëruar u.d, kryetar komune në Gostivar dhe komuna tjera ku nuk u arrit censusi, bazën juridike e ka në nenin 132a ku në mënyrë precize rregullohet kjo materie. Në rast se 1/3 e votuesve nuk del në proces zgjedhor, atëherë procesi përsëritet nga fillimi. Për këtë periudhë qeveria, thekson ai delegon kryetar komune dhe në afat 60 ditor përsëriten zgjedhjet dhe gjithçka është konform Kodit zgjedhor.
“Emërimi im është i bazuar në ligj, z. Valbon Limani le të shfrytëzojë të drejtën e tij që ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Xhelili.
Ai thotë se një pjesë e administratës vjen në punë, i kryejnë punët e tyre, por gati 1/3 kanë marrë pushim të rregullt ose mjekësor.
Nuk jam armiqësor
“Sot është dita e parë e punës, kam komunikuar me disa prej tyre u janë përgjigjur kërkesave të mia si ditë e parë dhe shpresoj se me kalimin e kohës të gjithë do ta kuptojnë se nuk jam armiqësor. Kam shpresë se është në të mirën e tyre që të bashkëpunojmë ngase kam shkuar në radhë të parë për të ruajtur kontinuitetin dhe funksionalitetin e administratës komunale”, ka thënë Xhelili.
Se a pret bashkëpunim në nivel të Këshillit komunal me opozitën shqiptare, ai me konstatim se është herët, por shton se do jetë bashkëpunues.
“Do jem i hapur në funksion të mbarëvajtjes së punës së komunës së Gostivarit, por do varet edhe nga pozicionimi i tyre”, tha tutje Xhelili.
Lidhur me borxhin e komunës thotë se do të angazhoj revizorin e brendshëm ose nga jashtë nëse e do nevoja për të bërë një ekspertizë dhe do del, siç thotë me qëndrim për të prezantuar gjendjen reale të komunës.
Jam i gatshëm të mbetem në garë
Xhelili thotë se është i gatshëm të mbetet në garë si kandidat i VLEN-it për zgjedhjet e 11 janarit për Gostivarin.
“Jam i dërguar i VLEN dhe partnerët e koalicionit do të vendosin nëse do mbetem unë, apo do vjen ndonjë kandidat tjetër. Por jam i gatshëm ta pranoj kandidaturën dhe të mbetem në garë”, tha ai.













