Gashi: Mbi 95 për qind e ligjeve në Kuvend janë votuar, askush nuk ka interes të mbeten të bllokuara
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në emisionin “1+1” në TVM2 ka thënë se çdoherë u ka dhënë prioritet ligjeve reformuese. Këto ligje sipas tij kanë të bëjnë kryesisht me Kodin penal, Kodin zgjedhor, energjetikën etj.
Lidhur me atë se sa ligje kanë ngelur të bllokuara, ai thotë se shumica e tyre janë votuar.
“Mbi 95 për qind e ligjeve që kanë ardhur në Kuvend i kemi kaluar dhe votuar. Kanë ngelur vetëm ato ku kërkohet 2/3 e shumicës, siç është ligji për vetëqeverisje lokale, Avokati i popullit ku duhet të ketë vullnet edhe nga ana e opozitës. Askush nuk ka interes që ligjet të mbeten të bllokuara”, tha Gashi.
Ai bëri thirrje që propozuesit, ministrat, dikasteret e ndryshme të propozojnë ligje në mënyrë të rregullt, jo në formë të shkurtuar me qëllim të ketë hapësirë për debat dhe të fusim edhe ekspertët e fushës.
“Nuk mund të bëni një Kod penal nëse nuk konsultoni ekspertë të jurisprudencës apo ndërkombëtar…”, ka thënë ai.
Ai shton se Maqedoninë e Veriut në vitin 2025/26 duam të shohim të zhvilluar që të reflektojë siç thotë realitetin shoqëror dhe se vetëm kështu, secila etni mund të jetë e përfaqësuar dhe jo e kërcënuar.
“Barazinë duhet ta kërkojmë duke evituar frikën dhe nëse i shtrojmë kështu çështjet, dëshirat për të ardhmen e përbashkët do jenë kriteri bazë mbi këto parametra që të projektojmë një shtet të dinjitetshëm për të gjithë”, tha kryeparlamentari Gashi.













